Dyshime për shkelje flagrante të ligjit pas shpalljes së konkursit për guvernator të BQK-së
Dyshime të mëdha ka për shkelje ligjore lidhur me shpalljen e konkursit të ri për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo pasi disa prej emrave të kandidatëve kanë qenë në Komision për Buxhet, janë diskutuar, e kjo pikë e rendit të ditës nuk u diskutua asnjëherë. Si rezultat, Kuvendi nuk u mblodh për të vendosur nëse konkursi i parë do të anulohej, dhe të shpallej konkursi tjetër.
Jozyrtarisht është raportuar se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë vendim për ta kthyer në pikën zero procesin.
Për gjithë këtë situatë, deputeti i PDK-së dhe anëtari i Komisionit për Buxhet, Ferat Shala, i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Megjithatë nuk ka marrë përgjigje.
“Është e vërtetë, shqetësimin e kam ngritur me letër zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Komisionit për Buxhet. Kam kërkuar të sqarohet aspekti ligjor, sepse mendoj që ka pasur dhe ka shkelje. Nuk kam marrë mendim nga këto dy institucione, shkelja është flagrante, sepse BQK-ja ka shpallur konkurs i cili nuk është përmbyllur pjesa që ka qenë e hapur dhe e ligjshme”, tha Shala për Nacionalen.
Shala më tutje ka deklaruar se nuk ka të drejtë askush ta kthejë procesin në pikën zero, përveç Kuvendit të Kosovës.
“Definitivisht rekomandimet e komisionit duhet të shkonin në seancë dhe vetëm Kuvendit është legjitim e meritor me kthy në pikën 0, sepse asnjë institucion tjetër nuk ka ingirencë mbi ligjin përvec Kuvendit. Dhe Kuvendi nuk e ka trajtu në mënyrë meritore këtë lëndë, dhe skandali i përzgjedhjes së guvernatorit është shpërfaqur fatkeqësisht me mbylljen e syve edhe nga kryetari i Kuvendit”, tha Shala.
I gjithë procesi është përcjellur me dyshime të shumta dhe reagime nga shoqëria civile.