Dyshime për dallavere në Podujevë: Financuesi s’e nënshkruan projektin, familjarë të njerëzve të VV-së u punësuan - NACIONALE

Dyshime për dallavere në Podujevë: Financuesi s’e nënshkruan projektin, familjarë të njerëzve të VV-së u punësuan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komuna e Podujevës në mars të këtij viti shpalli konkurs për pranimin e tutorëve (kujdestarëve) nëpër shkolla. Ky konkurs ishte shpallur pas memorandumit të bashkëpunimit mes komunës dhe organizatave joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” dhe organizatës ndërkombëtare “Terres des Hommes”.

Në fund të majit, Komisioni Përzgjedhës kishte shpallur fituesit e konkursit. Shtatë persona kishin fituar vendet e punës nga ky konkurs. Mirëpo, çka bie në sy është se nga përbërja e komisionit, një prej palëve s’ka nënshkruar shpalljen e vendimit. Pjesë e komisionit ishin një përfaqësues i komunës dhe nga një përfaqësues prej secilës organizatë të lartpërmendur.

Anëtarja e komisionit nga organizata joqeveritare, Dardane Shaqiri, nuk e ka nënshkruar vendimin e komisionit. Burime të gazetës Nacionale, në kushte anonimiteti, kanë thënë se ky mosnënshkrim ka ardhur për shkak të parregullsive në konkurs, dhe për shkak të punësimit të personave që janë familjarë të pushtetarëve komunalë të Vetëvendosjes.

Nga lista e 7 personave të punësuar, së paku tre prej tyre kanë lidhje me njerëz të pushtetshëm në Komunën e Podujevës.

Liridona Babatinca - Maqedonci është gruaja e kandidatit të Vetëvendosjes për asamble komunale në Podujevë, Valon Maqedoncit. Sipas konkursit në fjalë, ajo kishte fituar më së shumti pikë në intervistë (90), megjithëse jo edhe në testim me shkrim (77). Edhe bashkëshortja e Jeton Havollit, po ashtu kanditat për asamble komunale nga VV-ja në Podujevë, Donjeta Berisha-Havolli, është pranuar në punë nga Komuna e Podujevës. Edhe znj. Berisha Havolli kishte marrë numër shumë të madh pikësh në intervistimin me gojë.

Në anën tjetër, pikët në test të shumë prej kandidatëve që nuk janë pranuar janë të përafërta, e në raste të caktuara edhe më të larta se të kandidatëve të pranuar.

Ndërkaq, Arben Hoxha – një tjetër kandidat i pranuar - është djali i tezes së drejtorit të Financave në Komunën e Podujevës.

Sipas memorandumit, një anëtar në komision është dashur të jetë nga Komuna e Podujevës ndërsa dy të tjerë nga organizatat joqeveritare të lartpërmendura, njëra prej të cilave (Terres des Hommes) ka financuar projektin.

Në kushte anonimiteti, gazetës Nacionale iu tha se për shkak të parregullsive, anëtarja nga organizata “Terres des Hommes” ka refuzuar të nënshkruajë vendimin. Kjo shihet edhe në vendimin e publikuar nga komuna.

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë me autoritetet përgjegjëse në Komunën e Podujevës, por ata kanë qenë të paqasshëm. Po ashtu, Nacionalja ka dërguar pyetje më herët me shkrim rreth punësimeve partiake nëpër disa shkolla si dhe për regjistrimin e nxënësve pas afateve por përsëri nga Komuna nuk kanë kthyer përgjigje.

Sipas konkursit, një tutor i pranuar do të kishte për detyrë që të organizonte “mësim plotësues pas orarit të rregullt të mësimit bazuar në nevoja të fëmijëve”, “ofrim të mbështetjes emocionale për “romët, ashkalitë dhe egjiptasit por edhe fëmijët e tjerë”, pastaj “sigurim të mbështetjes akademike/profesionale” për fëmijët që kanë vështirësi në mësim” dhe “motivimin e nxënësve për të arritur rezultate të mira në mësime”.

Lajme të ngjashme