Dy vjet nga kërcënimi misterioz ndaj Kurtit – si u zhduk Garda Vullnetare Shqiptare? - NACIONALE

Dy vjet nga kërcënimi misterioz ndaj Kurtit – si u zhduk Garda Vullnetare Shqiptare?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me asnjë të dyshuar e pa ndonjë hetim konkret ka përfunduar një kërcënim që kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, e kishte marrë sikur sot, dy vjet më parë. Në një situatë të tensionuar politike, Albin Kurti kishte thënë se është kërcënuar nga një organizatë me emrin Garda Vullnetare Shqiptare. Për këtë, e kishte përmendur edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Pas publikimit të njoftimit nga kryeministri, asokohe, për këtë kërcënim kishin nisur hetimet nga Policia e Prokuroria. Megjithatë, deri më tash asnjë rezultat konkret nuk është arritur. Prokuroria nuk ka kthyer asnjë përgjigje për gazetën Nacionale, pavarësisht pritjes disajavore.

Kurse ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se nuk di të ketë ndodhur ndonjë zhvillim rreth kësaj çështje.

“Ide nuk kam çka ka ndodhë me atë rast. E di që kanë hapë hetime, por pastaj nuk e di çka ka ecë tutje”, ka thënë Qalaj për Nacionalen.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka dilema se organizata Garda Vullnetare Shqiptare ka ekzistuar me të vërtetë. Shala ka dyshime se një kërcënim i tillë mund të jetë ndërlidhur me zhvillimet politike asokohe.

“Në lidhje me deklaratën time të dhënë para 2 viteve mbi kërcnëmin të drejtuar kundër kryeministrit të Kosovës nga organizata e ashtu quajtur ‘Garda Vullnetare Shqiptare’ e cila mund të jetë inekzistente, sepse që nga ai kercënim asnjeherë më nuk është paraqitur me ndonjë deklaratë apo komunikatë apo veprim. Kjo lë të nënkuptohet që kjo organizatë nuk ekziston por mund të jetë vetem një individ apo grup i cili për motive politike ka ndërmarrë një veprim të tillë virtual”, tha Shala.

“Sepse në kontekstin e sigurisë për kryeministrin e vendit, njësia për vlerësimin e sigurisë së personaliteteve brenda Policisë deri më tani përpos një rekomandimi që ka dhënë që të ngritet gatishmëria e njësive përkatëse operacionale që për detyrë e kanë mbrojtjen e Kryeministrit, nuk ka rekomanduar apo sygjeruar veprime më shumë”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Kush ishte Garda Vullnetare Shqiptare?

Pakkush kishte dëgjuar deri më 19 maj të vitit 2020 për Gardën Vullnetare Shqiptare. Asokohe, ky emër bëri bujë pasi kryeministri Kurti, kishte thënë se e ka kërcënuar me një letër publike. Logoja e kësaj organizate për të cilën Kurti tha se e ka kërcënuar, po del të ketë qenë e vjedhur. Këtë logo e posedon edhe “Federata e Shqiptarëve të Italisë”.

Dy duar të bashkuara, në ngjyrat kuq e zi, është logo e cila është prezantuar qysh më 26 prill të vitit 2015. Ajo u krijua në qytetin Fermo të rajonit Morche në Itali. Kjo logo është ideuar nga drejtuesja e shoqatës “Acuqasport Terme” në Padova, Erida Çela Perlala, dhe është realizuar nga dizenjatorja grafike Michela Santelli. Si rezultat, nuk kishte asnjë lidhje me Gardën Vullnetare Shqiptare, organizatën fantome e cila kishte kërcënuar kryeministrin.

Çfarë kishte ndodhur?

Në majin e vitit 2019, Kosova po e priste nën ethe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse ishte i ligjshëm dekreti i ish-presidentit Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër. Krejt kjo pasi qeverisja LDK-VV ishte rrëzuar në Kuvendin e Kosovës. Në këtë kohë, edhe tensionet ndërmjet presidentit e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, ishin në kulm.

Më 19 maj të vitit 2020, Kurti kishte thënë se është kërcënuar nga një organizatë me emrin Garda Vullnetare Shqiptare. Aty e kishte përmendur edhe emrin e Thaçit e të kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura ‘Garda Vullnetare Shqiptare’, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër. Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”, kishte shkruar Kurti.

Pretendimeve të Kurtit, ish-presidenti Thaçi i ishte përgjigjur duke thënë se është sajim, në prag të vendimit të Kushtetueses për dekretin e kryeministrit.

“Nuk jam në garë si President me asnjë lider politik, as me Kryeministër. Është nxitim në formulimin e këtij postimi, unë jam konsultuar me organet e sigurisë për mbrojtjen e Kosovës, kjo organizatë është fiktive, nuk ekziston. Nga ajo që unë kam pranuar të dhëna zyrtare nga shteti i Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Pas gjithë kësaj situate, Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si të drejtë dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, duke i hapur rrugë qeverisë LDK-AAK-Nisma. Qeveri e cila edhe ashtu nuk zgjati shumë, pasi po Kushtetusja, e vlerësoi se me votën e Ethem Arifit i cili ishte i dënuar me vendim të prerë, ishte shkelur Kushtetuta.

Lajme të ngjashme