Dy të lënduar nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë në rrugën Qamil Hoxha në Prishtinë.
Në një konfirmim për Nacionale, nga policia është bërë e ditur se pasi kanë marrë informatën kanë dalë menjëherë në vendngjarje, duke marrë të gjitha masat e nevojshme.
Në njoftim thuhet se janë lënduar dy persona, ku njëri nga ta dyshohet se ka marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa të dy janë dërguar për trajtim mjekësor.
Është bërë e ditur po ashtu se tashmë janë identifikuar autorët e dyshuar dhe organet kompetente janë në kërkim të tyre.
Njoftimi i plotë:
Rreth orës 20:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Qamil Hoxha në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e para raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit.
Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë.