Dy kërcënime brenda pak ditësh në adresë të presidentes: Çka dihet deri më tash? - NACIONALE

Dy kërcënime brenda pak ditësh në adresë të presidentes: Çka dihet deri më tash?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kërcënimi i parë u publikua më 19 maj.

E i dyti, një javë pas.

Për shtatë ditë, në adresën e presidentes Osmani, kanë shkuar dy kërcënime me jetë nga burime anonime.

“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuse ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin kërcënues që mban datën 15 maj 2025.

E një mesazh me përmbajtje të ngjashme, kishte shkuar në adresën e presidentes Osmani edhe së fundmi.

“Jan nis me t’vra k***, edhe shpihunat e serbis polici shka jan me arm kontrabandume”, thuhet në mesazhin e dytë.

Presidenca në vazhdimësi ka kërkuar që këto kërcënime të merren seriozisht. Madje, bashkëshorti i Osmanit, zotëriu i parë, Prindon Sadriu, tha se kërcënimet janë serioze.

“Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt. Sot është Presidentja. Nesër dikush tjetër? Rreziku është i qartë. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për veprim ka kaluar qëmoti”, ka shkruar Sadriu.

Për këto raste, Prokuroria Speciale deklaroi se është autorizuar një prokuror.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësve të mundshëm të veprës penale.”, u tha nga Prokuroria Speciale.

“Ndërsa, të enjten pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, thanë ata më tutje.

Pas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Presidenca sërish reagoi duke thënë se nuk janë njoftuar lidhur me këto veprime hetimore.

“Kjo pasi që bëhet fjalë për një rast me ndjeshmëri të lartë institucionale, mosreagimi në kohë reale dhe tentimet për shmangie nga përgjegjësia përbën dështim institucional dhe cenim të rendit kushtetues. Transparenca dhe veprimi i menjëhershëm nuk janë opsione, por detyrime ligjore” ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Policia e Kosovës javën e kaluar arrestoi një të dyshuar që kishte dërguar mesazhe kërcënuese në adresën e disa institucioneve. Megjithatë, nuk ishte rasti i njëjtë me atë të presidentes Osmani.

Lajme të ngjashme