Dy javët e Lajçakut me dialogun në fokus, dhe kërkesa e Kurtit nga Brukseli - NACIONALE

Dy javët e Lajçakut me dialogun në fokus, dhe kërkesa e Kurtit nga Brukseli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se dy javët e tij të punës pas verës, kanë qenë me krejt fokusin në dialogun Prishtinë-Beograd.

Pavarësisht se dështoi ta organizojë një takim trepalësh në Bruksel, sipas Lajçak, hapa përpara janë bërë.

“Dy javët e fundit kanë qenë një vorbull e përpjekjeve diplomatike të fokusuara në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas diskutimit tim me zëvendëskryeministrin e parë Bislimi në Prishtinë, u nisa për në Beograd për t'u përgatitur për takimin e kryenegociatorëve të kësaj të marte në Bruksel. Të martën mblodha Kosovën dhe Serbinë në Bruksel për takime të veçanta. Megjithëse nuk arritëm të biem dakord për agjendën e një takimi trepalësh, diskutuam çështje politike dhe teknike dhe përshkruam hapat e rëndësishëm vijues për të udhëhequr diskutimin tonë të ardhshëm”, ka shkruar emisari Lajçak në facebook.

Më pas, ai tregoi për pjesën tjetër të agjendës që ka pasur gjatë ditëve të fundit.

“Ndërsa Dialogu ishte fokusi kryesor i dy javëve të fundit, unë mora pjesë edhe në disa aktivitete të tjera. Nga Beogradi vazhdova në Paris për t'u takuar me kolegë nga Ministria e Jashtme franceze dhe mikun tim të mirë Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit Macron. Ne u fokusuam në zhvillimet më të fundit në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, duke u siguruar që jemi në linjë në rrugën përpara”, tha Lajçak.

Ai htkesoi gjithashtu se ka vizituar edhe Hungarinë, e ditëve të ardhshme do të qëndrojë në Nju Jork.

Fjalët e Lajçak erdhën po në ditën kur Kurti pati një trekë pune me Ursula von der Leyen të Komisionit Evropian.

Kurti tha nga Brukseli se marrëveshja e Ohrit nuk duhet të shkelet.

“Gjatë bashkëbisedimit që patëm në këtë drekë të shtruar nga Von der Leyen unë përsërita kërkesat e vazhdueshme të Kosovës që sa më parë të na dërgohet pyetësori nga Komisoni Evropian ndonëse është me mijëra pyetje, ne duam t’i përgjigjemi me durim dhe përkushtim. Dialogu ka një fazë të avancuar që nuk duhet asnjëherë të harrohet fakti që kemi marrëveshje, pra Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje në rrugën për normalizim të marrëdhënieve, kjo marrëveshje quhet Marrëveshja Bazike nga shkurti i vitit të kaluar, që e ka edhe aneksin e zbatimit nga dakordimi në Ohër dhe ajo duhet bërë është të respektohet e të mos shkelet, si dhe të zbatohet pa vonesa. Në thelb të asaj marrëveshje është së paku njohja reciproke de-facto dhe ajo i ndihmon bashkëpunimit tonë në integrimin evropian”, ka thënë Kurti në një adresim për media nga Brukseli.

Ai gjithashtu ka thënë se nga mjetet e ndara për rajonin e Ballkanit Perëndimor, pret që edhe Kosova ta marrë pjesën që i takon.

“Ne jemi shumë të kënaqur që plani i rritjes i dedikohet të gjitha shteteve të Ballkanit, ku edhe Kosova do ta marrë pjesën e saj. Jemi të kënaqur që BE-ja e ka rikthyer temën e zgjerimit në tryezë, kjo është përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe unitetin në BE e natyrisht bit ë gjitha kundër Federatës ruse. Janë gjithsej 6 miliardë të ndara për rajonin tonë ku Kosova besoj që do të marrë së paku atë që i takon për nga madhësia dhe puna që kemi bërë, përafërsisht gjysma mund të jenë grante dhe gjysma kredi, por ne presim që të ndodhë qysh në këtë vit për të mos thënë në muajin e ardhshëm”, është shprehur Kurti.

Lajme të ngjashme