Dy deputetët e Kuvendit të Serbisë sulmohen verbalisht nga protestuesit në Zveçan - NACIONALE

Dy deputetët e Kuvendit të Serbisë sulmohen verbalisht nga protestuesit në Zveçan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy deputetë të Kuvendit të Serbisë, Miroslav Aleksiq dhe Aleksandar Jovanoviq, nënkryetari i Partisë Popullore dhe lider i Lëvizjes Kryengritja Ekologjike, siç raporton mediumi serb, Danas, kanë vizituar protestuesit para objektit të komunës në Zveçan.

Ata thanë se kanë ardhur në Zveçan për të mbështetur qytetarët që po protestojnë para objekteve komunale.

Mirëpo, jo gjithçka shkoi në rregull pasi disa nga protestuesit u përplasën verbalisht me deputetët.

Raportohet se qytetarë kanë sharë Aleksiqin dhe Jovanoviqin, duke i akuzuar se kanë ardhur për të “mbledhur pikë politike”.

Të njëjtët qytetarë i kritikuan për sjelljen e tyre të keqe, siç thanë ata, në kohën kur “ishin pushtet”, por edhe se në këtë moment vetë qytetarët “nuk kanë nevojë për asnjë parti politike” dhe se “nuk kanë nevojë dhe nuk duan mbështetje nga askush”.

Kishte edhe nga ata që i kritikuan se ishin ata që “e liruan Kurtin nga burgu dhe e dërguan Millosheviqin në Hagë”.

Kujtojmë se protestat e serbëve po vazhdojnë para objekteve komunale si kundërshtim ndaj kryetarëve të rinj shqiptarë.

Lajme të ngjashme