Dronët imagjinarë: Opozita e ashpër me Kurtin, kërkohet hetim i prokurorisë për pamjet e rreme - NACIONALE

Dronët imagjinarë: Opozita e ashpër me Kurtin, kërkohet hetim i prokurorisë për pamjet e rreme

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Opozita e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për çështjen e dronëve, që kryeministri Kurti me krenari proklamonte se Kosova po ndërton industri të mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë.

Zyrtarët e partive opozitare kanë vlerësuar se ata kanë qenë dronë imagjinar.

Deputetja PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, të cilat i ka proklamuar Qeveria Kurti.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare.

Sipas saj, qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.

“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, ka thënë ajo.

Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, është shprehur Kabashi-Ramaj, duke dhënë detaje tjera.

Situatë të ngjashme nga ish-kryeministri kemi pasur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, por asnjë qytetarë nuk ka parë plan të qartë, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme”, është shprehur ajo.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i ashpër për këtë çështje me Qeverinë.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej shumë rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti.

Etja për foto dhe shoëbiz është mania e këtij pushteti. Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti. Kur do të ndaleni një herë o të mjerë!”, ka shkruar ai.

Ndonëse kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte marrë pjesë në përurimin e kompanisë që ka “testuar” doronët, Ministria e Mbrojtjes është distancuar nga një gjë e tillë.

Në përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale, kjo ministri ka thënë se nuk ka qenë në asnjë mënyrë e përfshirë në asnjë testim të dronit të prezentuar si Skifter K1.

Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës gjatë muajit tetor të vitit të kaluar kanë zhvilluar një aktivitet përbashkët të vlerësimit të individëve dhe kompanive kosovare që punojnë në inovacion dhe zhvillim të dronëve të vegjël komercial dhe atyre për përdorim të mundshëm për përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak. Në atë aktivitet janë vlerësuar inovacionet e disa inovatorëve tě dronëve me helika/rotorë dhe jo dronëve me krahë (fixed ëings). Vlerësimi është bërë nga ekspertët e fluturakeve pa pilot të FSK-së. Në mes të inovatorëve të vlerësuar ka qenë dhe Kompania Future Minds Academy e cila është vlerësuar me çmimin e parë për prototipin e dronit me helika ( jo të ndonjë lloj droni tjetër, pra as te dronit që është prezantuar si Skifter K1)”, ka vlerësuar Ministria e Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme