Qeveria nën hije e PDK-së, analistët nuk presin 'mrekulli'
Gjatë javës së kaluar, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një audio bisedë (podcast) për Gazetën Nacionale paralajmëroi intensifikim të kundërshtimit të partisë më të madhe opozitare ndaj Qeverisë Kurti.
E pak ditë pas audio intervistës së Çitakut, Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar të hënën se ka iniciuar themelimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë duke theksuar se do të tentojë të ofrojë një alternativë qeverisëse të mirëfilltë kundrejt Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
E vendimi me unanimitet i Këshillit Drejtues të partisë më të madhe opozitare shënjon ringjalljen e modelit të PDK-së të qeverisë nën hije, të cilën qasje opozitarizmi e kishte përdorur edhe gjatë viteve para pavarësisë.
Udhëheqësi i PDK-së, Memli Krasniqi, u citua të ketë thënë se një qasje e tillë do të rikthejë besimin e qytetarëve në partinë që drejton, shkruan Gazeta Nacionale.
“Është para së gjithash, moment për qytetarin që ka nevojë sot më shumë se kurrë për një PDK të fortë e unike, në të cilën ai mund të besojë planet e perspektivës dhe të ardhmes së tij. Prandaj, ky moment nuk mund të ikë. Dhe si kryetar i PDK-së, ju garantoj sot se nuk do ta lëmë të ikë”, tha Krasniqi.
Në njoftim nënvizohej se Krasniqi ka vlerësuar se PDK ka një agjendë të mirëfilltë parlamentare si opozitë.
“Jam shumë i bindur se qytetarët e Kosovës sot e kanë shumë të qartë se pse i duhet Kosovës PDK-ja”, tha Krasniqi.
Analistët skeptikë
Imer Mushkolaj, analist politik, në një prononcim për Nacionale vlerësoi se nisma e PDK-së për themelimin e qeverisë nën hije nuk është garanci për opozitarizëm më cilësor.
“Krijimi i një Qeverie nën hije në këtë rast nga ana e PDK-së, nuk është një garanci se do të ketë një opozitë më të fortë. Në fakt as PDK-në, as LDK-në e as ndonjë parti tjetër deri tash nuk e ka pengu askush që të bëjnë opozitë. Askush nuk i ka ndaluar që PDK t’i nxjerr ekspertët e saj në konferenca për media ose të gjejnë forma tjera që t’i japin idetë ose alternativat e tyre. Natyrisht, PDK kalkulon në përfitime, në poena politik, sepse kur thua qeveri nën hije tingëllon shumë mirë, por në thelb nuk mendoj që do ta ndërrojë mënyrën e të bërit opozitë”, tha Mushkolaj për Nacionale.
Në anën tjetër, sociologu Leutrim Sahiti qeverinë nën hije e cilëson si praktikë të mirë e shembull të një opozite të konsoliduar në një shtet demokratik.
Megjithatë, Sahiti hedh dyshime nëse PDK mund të ofrojë alternativa të politikave publike marrë parasysh që e njëjta parti ka udhëhequr për një dekadë me Kosovën.
“Andaj një sukses të tillë një qeveri nën hije e udhëhequr nga një parti që ka udhëhequr për mbi 10 vite me shtetin siç pretendon ta krijojë kryetari aktual Memli Krasniqi, vështirë se do të këtë sukses. Po ashtu vlen të theksojmë se një parti politike që ka udhëhequr për një kohë të gjatë me shtetin dhe qytetarët e njohin mënyrën e qeverisjes së saj dhe çka ofron ajo konkretisht e ka shumë të vështirë të bind elektoratin që ajo mund të shërbejë si alternativë e qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Sahiti për Nacionale.
Tutje analisti Sahiti deklaroi se themelimi i qeverisë nën hije mund të shihet si strategji për përafrimin e PDK-së me Vetëvendosjen, partinë që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.
“Krijimi i qeverisë nën hije nga PDK, mund të shihet edhe si një strategji e saj që përmes ofrimit të alternativave të ndryshme për problemet sektoriale të përafrohet me VV-në dhe kështu në zgjedhjet e ardhshme kurdo që do të mbahen ato të bashkëqeverisin dhe kjo do të ishte një mundësi e mirë edhe për VV-në për të marrë edhe një mandat si dhe për PDK-në që të forcohet si parti për të rimarr pushtetin në duar”, shtoi Sahiti.
PDK edhe më parë ka eksperimentuar me qeverinë nën hije gjatë kohës sa ajo ishte në opozitë para shpalljes së pavarësisë.
Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, që për shumë vite drejtoi PDK-në, partia atëbotë opozitare arriti t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2007.
Por, Mushkolaj thotë se PDK nuk i fitoi zgjedhjet si pasojë e themelimi të kabinetit qeveritar nën hije, por për shkak të keq qeverisjes së asaj kohe. Të njëjtin fat do ta ketë edhe qeverisja nën hije që pritet të udhëhiqet nga Krasniqi.
“Nuk besoj që qeveria nën hije atëkohë ka ndikuar që PDK të vijë në pushtet. Sjelljen në pushtet të Thaçit ka ndiku keq qeverisja paraprake që atëbotë po bëhej nga LDK dhe AAK. Edhe tash besoj që është e njëjta gjë, sepse e vetmja arsyeje mund të ndikojë në ardhjen në pushtet mund të ishte mënyra se si qeverisë VV e jo qeveria nën hije”, tha Mushkolaj.
Ditë më parë, Gazeta Nacionale shkroi për themelimin e qeverisë nën hije nga ana e Lidhjes Demokratike të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kujtojmë që Qeveria Kurti tashmë ka mbushur 1 vit jetë në qeverisje pasi fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021.
Modelet evropiane të qeverisë nën hije
Qeveria nën hije, në praktikën evropiane, zë një vend të rëndësishëm si model alternativë ndaj qeverisjes së shumicës politike.
Në parlamentarizmin e Britanisë së Madhe, qeveria nën hije është praktikë e përhershme për shkak se sistemit politik është i ndërtuar mbi dy parti të mëdha. Andaj në fushëbetejën politike angleze, partia opozitare vazhdimisht ofron alterantiva qeverisëse ndaj politikave publike të prezantuara nga ekzekutivi britanik.
Përtej praktikës angleze, modeli i qeverisë nën hije është i pranishëm edhe në Gjermani, Francë e vende të tjera evropiane.