Drejtori i AKI-së për Dick Martyn në komision: Pse s'mori pjesë VV-ja në mbledhjen urgjente?
Nga ora 09:00 në mëngjes anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së kishin marrë ftesë për një takim me urgjencë. Ata do të dëgjonin informatat që ka Agjencia Kosovare për Intelegjencë, rreth kërcënimit të Dick Martyt nga Serbia, për t’i fajësuar kosovarët. Megjithatë, një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes nuk morën pjesë në këtë mbledhje.
Deputetja e PDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit, Ganimete Musliu, deklaroi para mediave, se partia në pushtet e ka bojkotuar takimin.
"Pas raportimeve të fundit për planifikimin e vrasjes së ish-senatorit Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, e kemi ftuar drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund të ketë lidhur me rastin. Fatkeqësisht edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit, kjo mbledhje u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje. Konsideroj që UÇK është mbi partitë politike", ka thënë Ganimete Musliu.
Raportimi i Drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, do të përfshinte informacionet që ka Kosova rreth kërcënimit të Dick Martyt me vrasje nga inteligjenca serbe, me qëllim që t’i fajësojë kosovarët.
Megjithatë, me deputeten e PDK-së nuk po pajtohet anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin për AKI-në, Salih Zyba. Ky i fundit në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se ftesën për takim e kanë marrë shumë vonë. Sipas tij, është i rëndësishëm diskutimi për çështjen ‘Marty’, por nuk ka qenë diçka urgjente.
“Ftesën e kemi marrë dje pasdite dhe ka qenë shumë vonë, dhe në kundërshtim me rregulloret. Ne e vlerësojmë që është me rëndësi të diskutojmë, por jo me kaq urgjencë. Unë fizikisht nuk kam mundur të jem, dhe nuk e di se kush ka qenë aty e kush jo, mirëpo kurdo që mbahet mbledhja e rregullt, unë do të jem aty për t’i dhënë qëndrimet e mia. Vlerësoj se është temë që duhet të diskutojmë dhe ka rëndësi, por ka qenë në kundërshtim me rregulloret. Vendim të grupit parlamentar nuk ka pasur për të mos shkuar në këtë raportim, por duket se disa deputetë e kanë pasur të pamundur”, ka thënë Zyba për Nacionalen.
Megjithatë, jo shumëkush nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për temën e Dick Martyt. Hiç deputetin Enver Dugolli e disa zyrtarë të ftuar në debate televizive, për temën që po dominon opinionin tash e 4 ditë, ka pasur kryesisht heshtje nga partia në pushtet.
HESHTJE
Presidentja Vjosa Osmani e Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk e kanë thënë asnjë fjalë deri më tash. Deklaratat e Dick Martyt janë publike dhe po bëjnë bujë tash e 4 ditë, por dy krerët kryesorë shtetërorë nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Presidencës, por ata nuk kanë kthyer asnjë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. Komente nuk kanë dhënë as nga kabineti i kryeparlamentarit.
Kurse, kryeministri i Kosovës për çështjen e Dick Martyt ka folur tek pas interesimit nga gazetarët në një konferencë për media.
“Sa i përket çështjes Marti ku kësaj radhe ai nuk është autor por protagonist, mund të them që shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia. Mirëpo, unë shpresoj e uroj që QUINT-i në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme e cila i tejkalon çfarëdo përmasash individuale, e përfshin një shtet të tërë”, ka thënë Kurti.
KËRCËNIMI I MARTYT
Ish-raportuesi special i Komisionit Evropian, Dick Marty, jeton me mbrojtjen policore për një kohë të gjatë, sepse jeta e tij është e rrezikuar nga elementet radikale të shërbimeve të inteligjencës serbe, raporton Radio Televizioni Zviceran. Martyt, i cili është ish-prokuror nga kantoni i Ticinos, i është dhënë mbrojtje policore që nga dhjetori i vitit 2020, raporton “Radio Television Suisse”.
“Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionistë që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësohen kosovarët”, ka deklaruar Dick Marty.
Ai ka shtuar se ekzistojnë veteranë që janë të specializuar për vrasje me porosi dhe se vrasja e dikujt në këtë mënyrë nuk është veçanërisht e shtrenjtë.
Televizioni shtetëror zviceran në frëngjisht raporton se ka pasur qasje në një dokument ku thuhet se vrasja e Martyt iu besua qytetarëve serbë, të cilët për një kohë të gjatë kryejnë detyra të tilla për shërbimet e inteligjencës serbe, të cilët janë trajnuar si profesionistë absolut.
Nga shumëkush ka pasur kërkesa që Dick Marty tash të ftohet edhe si dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Ish-senatori zviceran i njohur për raportin e tij që UÇK-ja ka kryer trafikim organesh, vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes. Dick Marty e pranoi edhe zyrtarisht se Serbia ka synuar ta likuidojë dhe t’ua lë fajin kosovarëve. Për këtë, ai tash e 16 muaj po ruhet nga mbrojtja e afërt e Policisë së Zvicrës.
Zyra Federale e Policisë së Zvicrës ka konfirmuar për gazetën Nacionale se ata po vazhdojnë ta ruajnë nga afër ish-senatorin Marty. Madje, Policia zvicerane për Nacionalen, situatën e ka vlerësuar si tejet serioze.
“Mund të konfirmojmë se që nga dhjetori 2020, supozohej një situatë serioze e kërcënimit ndaj z. Dick Marty. Veç aspekteve të së drejtës penale, çështja përfshin në veçanti garantimin e sigurisë personale dhe gjithashtu ka komponentë politikë për shkak të kontekstit të supozuar transnacional. Për këtë arsye, autoritete të ndryshme federale janë të përfshira në fushat e tyre të përgjegjësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Fedpol, dhe autoritetet e tjera kanë marrë masa për këtë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Zvicrës.
Zvicra po mban kontakte me Beogradin zyrtar. Këtë e kanë konfirmuar vetë ata. Megjithatë, në pyetjen se a kanë kontakte me Kosovën pas paralajmërimeve nga kryeministri Kurti, Qeveria zvicerane nuk është përgjigjur.