Dorëzimi i mbetjeve mortore tek autoritet serbe, EULEX jep detaje
Misioni EULEX ka njoftuar se dje ekspertët e mjekësisë ligjore të misionit të tyre kanë qenë prezent në pikë-kalimin e përbashkët në Merdare ku Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML) ka bërë dorëzimin e mbetjeve mortore të tre personave të zhdukur tek autoritet serbe.
Përmes një njoftimi për media, ky mision i ka dhënë disa detaje.
“Dje, ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it iu bashkuan përfaqësuesve të Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML) në pikë-kalimin e përbashkët në Merdare për dorëzimin e mbetjeve mortore të tre personave, të identifikuar së fundmi, pasi u bë përputhja pozitive e ADN-së. Mbetjet mortore të njërit prej tyre, person i zhdukur, iu dorëzuan familjes, ndërsa mbetjet mortore të dy të tjerëve iu dorëzuan autoriteteve serbe, të cilët i morën ato në emër të familjeve”, është thënë në njoftimin e këtij misioni.
EULEX ka treguar se janë të përkushtuar t`i mbështet ekspertët e IML në çështje të tilla.
“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për t’i mbështetur kolegët tanë vendas në IML dhe institucionet e tjera përkatëse të Kosovës duke ofruar ekspertizë dhe këshilla mjekoligjore gjatë kryerjes së punës komplekse për identifikimin e të gjitha mbetjeve mortore në morgun e IML-së, në mënyrë që anëtarët e familjes ta realizojnë të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën”, është thënë në njoftim.