"Do të kishte himnin, flamurin e stemën": Çka thuhej në draft-statutin e prezantuar dje për Asociacionin?
Një draft-statut të prezantuar mbrëmë nga Ekipi Menaxhues në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e ka refuzuar Qeveria e Kosovës. Çka thuhej në këtë draft-statut?
Katër pjesëtarë të komunitetit serb, duke përfshirë Danijella Vujiçiq, deputete në Kuvendin e Serbisë, e hartuan këtë draft-statut.
Megjithatë, i njëjti ra poshtë pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar dhe ka propozuar një tjetër.
Çka thuhej aty?
Radio Evropa e Lirë raporton se ka siguruar qasje në draft-statutin e prezantuar.
Sipas raportimit të këtij mediumi, qendra administrative e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas draftit, do të ishte në Mitrovicën e Veriut dhe komunat jothemeluese do të mund të anëtarësoheshin në Asociacion nëse Kuvendi i tij jep dritën e gjelbërt.
Po ashtu, Kuvendi i Asociacionit, siç thotë draft-statutit, do të ishte organi suprem dhe secila komunë do të kishte pesë përfaqësues.
Asociacioni do të kishte edhe bordin e kryetarin, simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.
Po ashtu, thuhet se Asociacioni do të ketë një entitet juridik, me të drejtën e padisë ose të paditet. Mes tjerash, përmenden edhe marrëdhëniet me autoritetet qendrore, që sipas draft-statutit, do të ishin “të bazuara në parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit”.
Asociacioni, sipas draftit, do të mund të krijonte institucione të reja dhe “t’i menaxhojë dhe të bëjë mbikëqyrje të plotë mbi institucionet ekzistuese - themeluese e të cilave është Republika e Serbisë - në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, mbrojtjes shëndetësore, kujdesit social”.
Sa u përket kompetencave, sipas REL, në draft-statut thuhej se Aosicacioni do të miratonte vendime të Kuvendit, rregullore, mbikqyrjen e zbatimit të ligjeve etj.
Po ashtu, tutje thuhet se Asociacioni do të emëronte komandantin rajonal të policisë për katër komunat në veri.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në REL.
