Djokoviqi kryeneç në qëndrimet për Kosovën, edhe pasi u paralajmërua nga Franca - NACIONALE

Djokoviqi kryeneç në qëndrimet për Kosovën, edhe pasi u paralajmërua nga Franca

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Novak Djokoviqi ka këmbëngulur se nuk do të ngurrojë ta thotë mendimin për Kosovën dhe për tensionet në veri të Kosovës, megjithëse reagimet negative ndaj tij po rriten në vazhdimësi.

“Nuk e kam telash ta them këtë. Pra, do ta thosha prapë. Por nuk kam nevojë, sepse ju e keni deklaratën time tashmë nëse dëshironi të reflektoni në këtë çështje”, tha Djokoviqi të mërkurën mbrëma.

Ai shtoi: “Natyrisht se jam i vetëdijshëm se shumë njerëz nuk pajtohen, por kështu është. Është diçka për të cilën unë e ngre zërin”.

Djokoviqi i bëri këto komente mbrëmë pasi e mundi Marton Fucsovics 7-6 (2), 6-0, 6-3, për të arritur në rrethin e tretë të French Open.

I pyetur nëse mendon se mund ta përjetojë një grand slam pa dramë, Djokoviqi tha se nuk beson se është e mundur.

“Grand slam pa dramë, nuk mendoj se mund të më ndodhë mua. Mbase kjo më nxit. Kjo është e gjitha”.

Ai nuk pranoi më pyetje rreth kësaj çështjeje.

Pas triumfit në rrethin e parë të French Open të hënën, tenisti serb kishe shkruar në syrin e kamerës “Kosova është zemra e Serbisë – ndaleni dhunën”, duke thënë mesazh të qartë politik.

Ai po i referohej tensioneve në veri të Kosovës, të cilat u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë ta nisin punën pasi dolën fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Ministrja e Sportit e Francës, Amélie Oudéa-Castéra, kishte thënë të mërkurën gjatë ditës se komentet e Djokoviqit ishin të pavenda dhe prej një militanti.

“Ishte një mesazh si shumë aktivist, që është shumë politik. Nuk duhet të përfshihesh, posaçërisht në rrethanat e tanishme, dhe nuk duhet të ndodhë përsëri”, e paralajmëroi ajo Djokoviqin.

Djokoviqi nuk do të ndëshkohet sepse rregullat e grand slamit nuk ua ndalojnë lojtarëve të bëjnë komente politike.

Lajme të ngjashme