Djegia e fabrikës më të madhe në Gjakovë: Qeveria hesht, kërkohet mbështetje për punëtorët
Një pjesë e fabrikës “Comodita” në Gjakovë mbrëmë është kapluar nga zjarri dhe është djegur tërësisht. Djegia e këtij gjiganti industrial ka tronditur këtë komunë dhe ekonominë e vendit.
Kjo sepse qindra punëtor mbetur pa punë dhe korporata që e ka menaxhuar këtë fabrikë është prej taksapaguesve më të mëdhenjtë të Kosovës.
Pas lajmit për shpërthimin e zjarrit, kanë reaguar komunitete e biznesit, partitë politike dhe shoqëria civile. Vetëm Qeveria e Kosovës ka heshtur ndaj këtij rasti.
Deri me tani askush prej Qeverisë nuk ka shprehur ndonjë shqetësim për djegien e kësaj fabrike apo për fatin e qindra punëtoreve që kanë punuar aty.
As ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se ky incident përbën një humbje të madhe edhe për ekonominë e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës.
Në reagim i kësja ode i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta mbështet financiarisht këtë kompani.
“Duke pasur parasysh se Devolli Group është ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ofrojë mbështetje institucionale dhe financiare, në mënyrë që kjo kompani të rikuperohet sa më shpejt dhe të vazhdojë aktivitetin e saj afarist”, është thënë në reagimin e OEK.
Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se qëndron pranë kompanisë Comodita dhe Devolli Group, duke shprehur mbështetje të plotë në përpjekjet për rikuperim dhe vazhdim të aktivitetit të tyre afarist.
“OEK është e bindur se kjo kompani do ta tejkalojë këtë situatë të vështirë dhe do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka vlerësuar OEK-u.
Edhe deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kërkuar reagim institucional ndaj kësaj fatkeqësie.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me urgjencë për të vlerësuar dëmet dhe mbështetur punëtorët.
“Comodita ka punuar me tri ndërrime. Djegia e fabrikës do të ketë implikime katastrofale në ekonominë dhe tregun e punës në Kosovë. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me urgjencë për të vlerësuar dëmet dhe mbështetur punëtorët dhe kompaninë në këtë situatë të vështirë. Shpresoj në rimëkëmbje sa më të shpejtë dhe rikthim të prodhimit!”, ka shkruar Behrami.
Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se flaket mbi këtë fabrikë kanë tronditur ekonominë e vendit.
“Comodita është shembull se prodhuesit kosovarë, me përkushtim dhe vizion, arrijnë të jenë konkurrentë dinjitozë edhe në tregjet evropiane e botërore. Është një histori suksesi dhe burim jetese për qindra familje kosovare. Lajmi për flakët që e kanë përfshirë këtë objekt është tronditës për ekonominë e vendit. Shpresoj që të mos jetë lënduar asnjë punëtor dhe uroj që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe me sa më pak dëme. Falënderoj autoritetet përgjegjëse në Gjakovë, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe kryetarin Ardian Gjini për reagimin dhe ndihmën e ofruar në shuarjen e zjarrit”, ka shkruar Haradinaj.
Shqetësimet e tij për këtë rast i ka shprehur edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi.
“Lajm i rëndë dhe shqetësues: zjarri dhe dëmet e shkaktuara në Comodita. Me mijëra të punësuar dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik në Gjakovë dhe rrethinë, djegia e këtij gjiganti industrial përbën një lajm të keq jo vetëm për kompaninë, pronarët, punëtorët por për ekonominë e vendit në tërësi dhe për të gjithë punëtorët e saj. Urojmë që dëmet të jenë sa më të vogla dhe që ky subjekt të rimëkëmbet sa më shpejt. Solidaritet dhe mbështetje për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje”, ka shkruar Rukiqi.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për zjarrin e madh në fabrikën “Comodita” në Gjakovë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar.
“Rreth orës 16:50, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente vazhdojnë punën për ta vënë situatën nën kontroll. Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka deklaruar Elezaj.