Dje la të kuptojë se s’ka numra: A po ia teston Kurti “Jo”-në Abdixhikut me letrën e sotme?
LDK, si krejt partitë e tjera, nesër ka përfaqësuesin e vet në mbledhjen e thirrur për “parapërgatitje” të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.
Por, një ftesë tjetër në drejtim të LDK-së ka shkuar nga vetë Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, jo në rrafshin institucional si të tillë, por në rrafshin politik partiak.
Në letrën e Kurtit drejtuar Abdixhikut ku ky i fundit ftohet për të biseduar rreth “procesit të formimit të Qeverisë së re”.
Se pse një letër e tillë drejtuar Abdixhikut, s’është bërë e ditur ende.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, nga PDK-ja dhe AAK, s’kanë treguar të kenë marrë ftesë të ngjashme nga Kurti.
LDK ka qëndrime para dhe pas-elektorale “kategorike” që nuk bashkëpunon me Lëvizjen Vetëvendosje në çfarëdo formati për qeveri të re.
Këta të fundit janë në pozitë thuajse të pamundshme numrash, ku as me tre votat e Nismës së Fatmir Limajt, matematika nuk po u matematikon.
Për më tepër, Kurti dje mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku, ndër konkluzione, tha se Beogradi po instrumentalizon, shantazhon, e josh pakicat jo serbe për të sabotuar formimin e institucioneve të reja.
Kurti partitë shqiptare (shumicën shqiptare) i ka paketuar nën terma si “hajvanë” me të cilët s’bën assesi koalicion as bashkëpunim.
Rrjedhimisht çudia e letrës ndaj Abdixhikut.
Nga LDK ende s’janë deklaruar në lidhje me se si do t’i përgjigjen kësaj letreje, por se qëndrimet e partisë së tyre kanë qenë vazhdimisht të betonuara se me Vetëvendosjen nuk bashkëpunojnë.

Çka tha Kurti dje?
Sipas komunikatës së lëshuar, pas Mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, Serbia akuzohet se ka kryer "ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror të Kosovës".
"Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë," thuhet në komunikatë.
Kjo, siç thuhet aty, është realizuar përmes kërcënimeve, joshjeve dhe shantazheve të hapura ndaj deputetëve joshqiptarë, me qëllim të sabotimit të procesit të konstituimit të institucioneve të reja.
"Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë.
“Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë,” thuhet me tej në reagim.
Serbia u akuzua gjithashtu se po "ushtron trysni të paparë" ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
"Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë."