Djali i Nait Hasanit e Rasim Demirit, nipi i Fetah Paçarizit: Familjarë e të afërm të kandidatëve e partive, në mesin e të arrestuarve - NACIONALE

Djali i Nait Hasanit e Rasim Demirit, nipi i Fetah Paçarizit: Familjarë e të afërm të kandidatëve e partive, në mesin e të arrestuarve

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 100 persona u ndaluan ditën e sotme si të dyshuar për dallavere me vota në Prizren.

Në mesin e të arrestuarve janë djali i Nait Hasanit, dhe gjithashtu djali i Rasim Demirit. Të dy, kandidatë për deputetë.

Kurse, u arrestua edhe nipi i kandidatit tjetër, Fetah Paçarizit.

Se ka të afërm e familjarë të arrestuar, e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

“Ne ditën e sotme kemi ftuar 121. Në mesin e këtyre një pjesë nuk janë, por një pjesë janë të pafajshëm. Ne nuk jemi të interesuar për të pafajshmit, por aty ku ka prova të veprojmë. 5 janë liruar dhe 109 janë ndaluar. Ka edhe prej tyre që nuk i janë përgjigjë ftesës”, tha ai.

“Ata janë edhe pjesë e subjekteve politike, por ka edhe prej tyre që janë familjarë dhe për ata që ne kemi pasë informata dhe që i kemi çuar në stacion policor, ka tani edhe vendime për ndalim”, tha Kryeziu.

Pas përfundimit të aksionit të sotëm për dallavere me vota në Prizren, i cili rezultoi me 109 të arrestuar, Prokuroria Themelore ka zbuluar edhe raste të përfshirjes në veprën penale “dhënie e marrje të ryshfetit”.

Kështu bëri të ditur kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu, përmes një konference për media.

“Pjesa me dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot prej një prej komisionerëve ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë. Ata që janë të dyshuar, mund të marrin dhe cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunëtorë”, tha ai

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren Faton Alia ka treguar se 109 personat e ndaluar për rastin e manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit do të sistemohen.

Ai në konferencën për media, këtë e bëri të qartë meqë pati raportime se a do të ketë vend nëpër qendra të paraburgimit.

“Në orët e hershme të mëngjesit ka filluar së implementuari plani operativ. Ne, si Drejtoria Rajonale e Prizrenit, kemi asistuar me personel, me hapësira, zyra të mjaftueshme dhe me automjete, sepse e kemi kuptuar që bëhet fjalë për një numër shumë të madh, numri më i madh deri tash i personave të ndaluar në rajonin tonë. Të gjithë ata që janë proceduar në hapësirat e stacioneve policore dhe të drejtorisë rajonale, ndaj të gjithëve atyre u janë respektuar të drejtat që u takojnë në procedurë për të cilën janë zhvilluar hetimet”.

Alia tha se s’ka pasë ndonjë person të lënduarm as zyrtarë policorë të lënduar dhe as dëme të automjeteve sepse “keni parë një lëvizje mjaft të madhe të automjeteve në qytet”.

“Deri në këto momente gjithçka ka shkuar në rregull. Ka pasur pyetje dhe interesim për hapësira të mundshme rreth sistemimit të personave të ndaluar. Në bashkëpunim që kemi pasur me SHKK është gjetur hapësirë e mjaftueshme dhe të gjithë ata do të sistemohen ashtu siç janë paraparë me procedurë penale për raste të tilla”, tregoi ai.

Lajme të ngjashme