Djali i Jakup Krasniqit e falënderon Thaçin dhe Veselin: Më mbështetën nga larg
Djali i Jakup Krasniqit, Altini, ka reaguar në rrjete sociale pasi siguroi votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Ai ka falënderuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për përkrahjen nga larg.
Postimi:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Gjatë këtyre ditëve të fushatës, ju më hapët dyert tuaja dhe më bëtë të ndihem si në shtëpinë time. Pata mundësinë të shoh nga afër arritjet e mëdha të Kosovës që nga paslufta, por edhe sfidat dhe ngecjet, për të cilat uroj dhe shpresoj që të tejkalohen me përkushtim dhe punë të përbashkët.
Pata nderin të takoj shumë familje të dëshmorëve, njerëz që mbajnë lart moralin njerëzor dhe që për mua u bënë burim force e frymëzimi. Ju dëshmuat edhe një herë se krenaria gjithmonë mund dhimbjen, dhe për këtë ju falënderoj me respekt të veçantë.
Takova veteranë dhe invalidë të luftës – burra e gra që dikur ishin të gatshëm të jepnin jetën për lirinë e Kosovës dhe që sot kanë fatin ta gëzojnë atë. Nga ju ndjeva nga afër sakrificat e së kaluarës dhe pashë shpresën për një Kosovë më të mirë.
Gjatë kësaj fushate, u takova me qytetarë të çdo moshe e profesioni – të rinj e të moshuar, gra e burra, arsimtarë e bujq. U ndjeva i nderuar dhe me përulësi ju falënderoj për kohën që më dhuruat dhe, mbi të gjitha, për besimin që më keni dhënë. E di që mbi supet e mia mbaj përgjegjësi të madhe, mbaj një emër të madh që do ta lartësojë historia. Si biri i Jakup Krasniqit, ndihem shumëfish i obliguar të vazhdoj me nder rrugën drejt një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Gjithashtu, dua të falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët, mbështetësit, anëtarët dhe strukturat e PDK-së në të gjithë Kosovën, dhe veçanërisht në vendlindjen time, Drenas. Angazhimi dhe mbështetja juaj e palodhur më ka dhënë forcë dhe motivim për të vazhduar përpara. Faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe të gjithë qytetarët tanë.
Sot, para jush, përulem me nderimet më të mëdha. Gjatë fushatës nuk dhashë premtime boshe, por sot ju premtoj diçka me shumë peshë: do të jem zëri i të gjithë juve që ende besoni në vlerat tona të shenjta kombëtare.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë miqtë e babait tim, të cilët më qëndruan pranë me këshillat, përkrahjen dhe ndihmën e tyre.
Dua të falënderoj të gjithë çlirimtarët që ndodhen në Hagë, por veçanërisht dua të theksoj dy liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për mbështetjen që më dhanë, edhe pse nga larg.
Dhe në fund, një falënderim nga zemra për njeriun më të dashur në jetën time – babanë tim të jashtëzakonshëm, i cili ishte dhe mbetet heroi im. Nga ai mësova dashurinë për atdheun dhe këtë fitore ia dedikoj atij!
Sot kam dy urime:
Uroj që çlirimtarët tanë të kthehen sa më shpejt të lirë në atdheun e tyre, dhe uroj që Kosova të bëhet vendi që meritojmë!
Me respekt dhe mirënjohje,
Altin Krasniqi