Djali i Hashim Thaçit, i përlotur mes turmës, bëhet objekt i sharjeve dhe ofendimeve nga komentuesit - NACIONALE

Djali i Hashim Thaçit, i përlotur mes turmës, bëhet objekt i sharjeve dhe ofendimeve nga komentuesit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mijëra protestues janë mbledhur në sheshet kryesore të Prishtinës në një Marsh që mbështet krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po mbahen në Hagë. Pjesëmarrje e madhe dhe thirrjet e forta për drejtësi, kanë emocionuar familjarët e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Gazeta “Demos” ka publikuar disa pamje ku shihet djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, duke ecur mes turmës i përlotur.

Mirëpo, në disa nga pamjet e publikuara në rrjetin social “Tik Tok” nga kjo gazetë, shihen shumë sharje dhe ofendime ndaj Endrit Thaçit, djalit të Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, i cili ishte pranë tij në ato momente.

“Djali i hajnit”, “Djali i milionerit të Kosovës”, “Këta që e kanë votuar Gjykatën”, janë vetëm disa nga komentet e tmerrshme drejtuar Edritit por edhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili shihet pranë tij.

Në këto pamje, Endriti shihet duke ecur nën lotë, i prekur nga emocionet e Marshit për Drejtësi në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë zbarkuar ditën e sotme në Prishtinë. Kërkesa e tyre ishte e qartë: drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë.

Të gjitha sheshet duke nisur nga ai “Skënderbeu” deri te “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ishin të gjitha të mbushura me qytetarë.

Organizimet me autobusë ishin nga të gjitha komunat. Nga secila lagje e secili fshat. Mesazhi ishte i qartë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët që po mbahen në Hagë, kanë mbështetje të madhe në popullin e Kosovës.

Lajme të ngjashme