"Ditë e zezë": I madh e i vogël kritikojnë Kurtin e VV-në pas votimit të projektligjit për KPM-në - NACIONALE

"Ditë e zezë": I madh e i vogël kritikojnë Kurtin e VV-në pas votimit të projektligjit për KPM-në

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje me shumicë votash dhe në mungesë të opozitës ka miratuar projektligjin në lidhje me Komisionin e Pavarur të Medies, i cili ishte kundërshtuar e kritikuar nga Bashkimi Evropian. Pas këtij votimi, kanë “shpërthyer” kritikat ndaj VV-së nga ana e partive opozitare, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka theksuar se Qeveria Kurti dhe shumica parlamentare kanë logjikë antikushtetuese dhe kundër standardeve të BE-së.

“Përkundër kërkesës dy herë radhazi të opozitës dhe Bashkimit Evropian për tërheqjen e tri projektligjeve, LVV dhe partnerët e koalicionit, i votuan dy nga to që kanë elemente kundër kushtetuese dhe janë qartazi kundër standardeve të Bashkimit Evropian.

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave u votuan, kurse Projektligji për Zyrtarët Publikë u shty në mungesë kuorumi.

Të tri këto projektligje janë kundërshtuar fuqishëm nga opozita, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medieve” – ka shkruar ai.

Në reagimin e saj, Airana Musliu-Shoshi, deputete e PDK-së, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti dëshiron të jetë një Hugo Çavez.

“Albini dëshiron të jetë një Hugo Çavez, por në kohë dhe vend të gabuar!

Kjo qeveri sot me aprovimin e ligjit të KPM-së ka dëshmuar se qëllimi është të vendosen themelet e sistemit autoritar dhe të fundoset demokracia!

Qeveritë me prirje autoritariane, siç është qeverisja e Kurtit, sulmin e parë e drejtojnë kundër institucioneve demokratike. Tentimi është pikërisht vullneti për t’i kufizuar liritë civile të gjithë zërave kritik, e në veçanti MEDIAN” – ka shkruar ai.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szuynog, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës e humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira.

“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar ai.

Ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka vlerësuar se miratimi i këtij projektligji është goditje ndaj lirisë së medias.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit” – ka vlerësuar AGK-ja.

Edhe Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), ka reaguar pas votimit të këtij projektligji nga ana e shumicës parlamentare. Ai ka thënë se kjo është një ditë e zezë për lirinë e mediave dhe demokracinë në Kosovë.

“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën.” – ka shkruar Gutierrez në “X”.

Lajme të ngjashme