Ditë e rëndësishme: Vazhdon seanca konstituive dhe protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës - NACIONALE

Ditë e rëndësishme: Vazhdon seanca konstituive dhe protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ditën e sotme, nga ora 12:00 do ta shënojnë dy ngjarje të rëndësishme. Deputetët e Kuvendit të Kosovës e vazhdojnë edhe këtë të shtunë për të tretën herë seancën konstituive, ndërsa në sheshet kryesore të Prishtinës do të protestohet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Anise pati mundësi të votojë raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave, duke marrë parasysh se prezentë ishin 100 deputetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëri një gjë të tillë duke e shtyrë krejt këtë proces kështu edhe për 48 orë të tjera.

Opozita në anën tjetër, ka bërë me dije se nuk do ta votojë raportin pa dhënë dorëheqje Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Kështu, të enjten, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu edhe një herë seancën konstituive.

Ai konfirmoi se përpjekja e radhës do të bëhet të shtunën.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që braktisen konsultimet. Fatkeqësisht, nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12, më 19 prill 2025, me shpresë se deri atëherë do të këtë pajtueshmeri” – u shpreh Dehari.

Pas krejt këtyre zhvillimeve ndërkohë, kanë reaguar edhe partnerët ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian ka thënë për “REL” se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës” – u tha nga Zyra e BE-së.

Në të njëjtën kohë, pritet të nis edhe protesta e grupit “Asnjë cent më shumë”, kjo kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ata madje, kanë paralajmëruar se do të përshkallëzohet situata.

“Nesër do të jetë protesta e radhës që do të fillojë nga ora 12:00. Zëri i qytetarëve është mirë të mos ndalet dhe është e rëndësishme që ta vazhdojmë aktivitetin bashkë. Prej këtij sheshi që ta shtyjnë përpara këtë proces dhe në momentin e parë që konstiuohet Kuvendi të thirret menjëherë Zyra e Rregullatorit për Energji në Komisionin për Energji dhe sa më parë ky vendim të pezullohet” – ka thënë njëri nga përfaqësuesit, Besnik Shabiu

Ai shtoi se nëse edhe pas ditës së nesërme nuk ka reflektim “do të jemi të detyruar që protestat t’i masivizojmë dhe ky masivizim nënkupton edhe përshkallëzim”.

“Nëse do të ketë nevojë ne do të bllokojmë edhe rrugë edhe institucione në mënyrë që zëri të dëgjohet edhe më tutje. Qytetarët më shumë se kurrë e kanë të rëndësishme t’i përgjigjen protestës”.

Lajme të ngjashme