Nesër dita e propozimeve: Qeveria zëvendëson fjalën ‘negociatë’ me ‘bisedë’ - NACIONALE

Nesër dita e propozimeve: Qeveria zëvendëson fjalën ‘negociatë’ me ‘bisedë’

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nesër është afati kur Kosova dhe Serbia duhet të dorëzojnë propozime për çështjen e dinarit, në Bruksel.

Më 17 janar 2024, Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar Rregulloren për Para të Gatshme. Rregullorja që merret me shumë çështje monetare në Kosovë, veç tjerash, implikoi edhe çështjen e dinarit.

Nga dita kur u bë e njohur rregullorja e BQK-së për paratë e gatshme e deri sot, kjo çështje u shndërrua në problem – jehona e së cilës shkoi deri në Këshillin e Sigurimit, për të zbritur më pas në Bruksel, në tavolinën e dialogut.

Përkundër mohimit të vazhdueshëm nga Qeveria e Kosovës, se kjo çështje do të shndërrohej në temë negociatash, sot Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozime se si e shohin zgjidhjen e kësaj çështje.

Aleatët (ShBA, BE dhe Britania e Madhe), asnjëherë nuk kanë kërkuar që Kosova të mos e zbatojë Rregulloren e KQZ-së.

Kërkesa e tyre është që të gjindet një modalitet, rreth një periudhe tranzitore, e cila do të mundësonte adaptimin e komunitetit serb në Kosovë rreth këtij ndryshimi monetar.

"SHBA-ja absolutisht e pranon Kushtetutën e Kosovës. Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Sa i përket kësaj çështjeje specifike, ne mendojmë se kjo rregullore mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht", pati deklaruar ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier pak ditë pas vendimit të BQK-së për Rregulloren.

Se ShBA, në linjën e së cilës qëndrojnë edhe aleatët tjerë perëndimorë, nuk kërkon zhbërjen e Rregullores por vetëm diskutim rreth formës së zbatimit, Hovenier e thotë edhe në një deklaratë dje, pas takimit me zv.kryeministrin Besnik Bislimi.

“Është më rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit. Bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë. Ka mundësi që të dy palët të ofrojnë zgjidhje se si mund të bëhet kjo”, tha z.Hovenier.

Çka thotë Qeveria dhe qysh e (keq)intepreton temën?

Duke qenë që çështja e dinarit, ishte arsye edhe për një përplasje të fortë mes Kosovës dhe Aleatëve, (keq)interpretimi qeveritar ishte si në raste të ngjashme përplasjesh në të kaluarën: duke nënkuptuar se Aleatët po pengojnë ‘shtrirjen e sovranitetit’.

Qeveria, megjithëse sot dërgon propozime në Bruksel për dinarin, vazhdon ta mohojë se po negociohet për të.

Fjalën ‘negociatë’ e ka zëvendësuar me ‘bisedë’.

Nuk negociohet në Bruksel çështja e legjitimitetit të vendimit të BQK-së. Cka është duke u diskutuar në Bruksel, është tema se a ka masa të fazës së tranzicionit që mund të prekin qytetarë të Republikës së Kosovës që për shkak të një faze kalimtare shumë të shkurtër, do të mund të kenë pasoja.

Por, në asnjë moment, asnjë përfaqësues i Kosovës, nuk e diskuton çështjen e dinarit, çështjen e euros.

Nuk është negociuar asnjë lloj alternative ndaj vendimit ose rregullores së BQK-së.

Nuk ka negociata për dinarin. Ka bisedime me Serbinë se cila mund të jetë faza e dinarit, që më parë kanë ardhë me thasë pa asnjë kontroll, cila mundn të jetë mënyra që ato mjete të arrijnë në të njëjtin destinacion, por duke mos shkelur rregullat dhe ligjet e shtetit tonë.

Kjo është një bisedë që duhet të bëhet edhe me Serbinë.

E vetmja bisedë që kemi është a na nevojitet një fazë kalimtare dhe nëse na nevojitet, sa e gjatë do të jetë ajo fazë kalimtare”, tha mbrëmë ministrja e jashtme, Donika Gërvalla.

Lajme të ngjashme