Disa serbë shkojnë edhe në Gazimestan, kontrollohen detajisht nga Policia
Serbët sot po kremtojnë Vidovdanin. Megjithatë, për dallim nga vitet e kaluara, sot organizimi kryesor është mbajtur në Graçanicë.
Megjithatë, disa serbë kanë shkuar edhe në Gazimestan, pavarësisht njoftimit nga Kisha Ortodokse Serbe.
E serbët që shkuan në Gazimestan, janë kontrolluar detajisht nga Policia.
Kjo shihet në disa pamje që i ka publikuar gazeta Zëri:

Një numër i serbëve ishin mbledhur edhe në Graçanicë. Aty ishte edhe djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai mbante të veshur një bluzë ku thuhej nuk ka dorëzim.
Serbët atje janë dëgjuar duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë”. Megjithatë, nuk është raportuar për asnjë incident deri më tash.
Për dallim nga Gazimestani, në Graçanicë Policia nuk i ka kontrolluar serbët.
Në fjalimin e tij para serbëve, patriarku Porfirije tha se serbët duhet të jetojnë në paqe.
"Për ju vëllezër dhe motra që jetoni në Kosovë, ne kemi ardhur të lutemi me ju, t'i përulemi forcës dhe vendimit tuaj për të ruajtur vendet tona të shenjta. Kjo nuk do të ishte e mundur pa besim në shpirtrat tuaj. Me lutjen tuaj dhe qëndrueshmëria dhe ne të tjerët shërohemi nga brenda, lindim përsëri”, tha ai.

Patriarku uroi edhe myslimanët për Kurban Bajram.
"Sot është një ditë e gëzuar. Ne festojmë Princin e Shenjtë Lezar dhe Dëshmorët e Shenjtë të Kosovës, dhe sot vëllezërit myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Duke e lutur Zotin për të gjithë njerëzit e botës, Zoti i dhëntë të gjithëve gëzim dhe paqe”, tha ai.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës kishte vendosur që rruga në Graçanicë të bllokohet.