Dikush po thotë që Bekim Jashari është kandidat i Kurtit për President. A është kjo e vërtetë?
Ka momente në politikë kur e kupton që aleancat s’janë miqësi, por janë kontrata. Dhe kontraten ta këpusin, sapo ta kryejnë punën.
***
Një tronditje e madhe politike mund të ndodhë në javët në vijim.
Pas gjashtë vitesh aleancë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mund t’i ndajnë rrugët politike, jo me dëshirën e Vjosës, por me imponimin e Kurtit.
Sepse tash Kurti i ka 57 deputetë. Dhe kur i ki 57 deputetë, nuk flet ma si njeri që po kërkon ndihmë, flet si njeri që po vendos.
E megjithatë, pikërisht këtu nis çudia.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, në vazhdimësi e kemi parë Kurtin duke u përgjigjur në mënyrë të drunjtë rreth temës së presidentit.
Si njeri që s’po don me u kapë në fjali.
Edhe më e çuditshme, ai vazhdon me tingëllu skeptik për votat e LVV-së për zgjedhjen e presidentit. Flet për mungesë numrash. Flet qysh “mund të ketë zgjedhje prapë në prill”.
Pra, njeriu që kurrë s’ka pasë më shumë deputetë se sot, na flet sikur s’i ka deputetët e vet. Sikur s’e di a i del matematika.
Kjo, zakonisht, s’është gabim. Është narrativë.
Kur një politikan, pikërisht në momentin kur është më i fortë, fillon me folë si i dobët, ka dy shpjegime.
Ose po e përgatit terrenin për me e “shtu” dikë tjetër në lojë, pra me tregu që i duhen votat e të tjerëve, me i detyru me lëshu pe diku.
Ose po e përgatit terrenin për me e “shkarku” dikë, me e ndërru planin, dhe me u arsyetu paraprakisht, “s’kisha çka me bo, s’më dilnin numrat”.
Këtu vjen pjesa që po qarkullon si zë serioz, dhe që po e merr formën e një skenari real.
Kurti, thuhet, është duke punuar në prapaskenë që për presidentin e ardhshëm ta propozojë Bekim Jasharin, e jo Vjosa Osmanin.
E kjo, po të ndodhë, është e para herë që Vjosa Osmani e kupton se në aleancën e saj me Kurtin, ajo s’është partner i barabartë, është pjesë e inventarit politik, që përdoret sa të duhet, e ndërrohet kur të del më mirë një figurë tjetër.
Sepse më herët Kurti thoshte qysh do të insistonte për një mandat të dytë të Vjosa Osmanit. E tash, jo veç që s’po insiston, po po e lë të hapur edhe frikën e prillit, edhe mungesën e numrave, edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Kjo është mënyra si ta sjellin “ndarjen” në politikë. S’ta thonë sot, ta thonë me sinjale, me ftohje, me heshtje, me fjali të thata.
Në anën tjetër, Vjosa po duket deri diku e padurueshme rreth kësaj teme. Dhe është e kuptueshme.
Sepse nëse ti je presidente, dhe partneri yt politik, që ta ka mundësu atë pozitë, fillon me e lënë të hapur alternativën, ti s’mundesh me u sillë si njeri që s’e kupton.
Tash pyetja është, pse pikërisht Bekim Jashari?
Pse jo një figurë tjetër? Pse jo një “kandidat i partisë”? Pse jo një emër neutral?
Përgjigjja është e thjeshtë: sepse Kurti nuk po kërkon veç president. Po kërkon mburojë.
Bekim Jashari, për shkak të prejardhjes dhe simbolikës, është një mburojë politike e gatshme. Është emër që ta mbyll gojën e shumëkujt para se me folë. Sepse kush guxon me e sulmu një emër që lidhet me Jasharajt, pa u dukë i vogël?
Dhe Kurti, po të jetë duke e mendu këtë skenar, po e mendon për dy arsye shumë konkrete.
E para, Asociacioni.
Nëse Kurti hyn në fazën ku duhet me e kalu Asociacionin, atij i duhet një figurë në krye të shtetit që e neutralizon revoltën, që e amortizon zemërimin, që e shndërron një vendim të nxehtë në një vendim “të përtypshëm”.
Pra, jo me e ba vendimin më të drejtë, po me e ba vendimin më të mbrojtshëm.
E dyta, Thaçi.
Në rast se, eventualisht, ndodh një kthim, një lirim, një dalje e Thaçit nga Hagë, Kurti do të donte në krye të shtetit dikë me kredenciale patriotike të pakontestueshme, që mos me e lënë hapësirë që gjithë skena të dominohet prej një figure tjetër të madhe simbolike.
Pra, edhe këtu, nuk po flasim për president si institucion, po për president si amortizator.
Ky është problemi i madh.
Kur presidenti shndërrohet në mburojë të kryeministrit, atëherë Kushtetuta shndërrohet në aksesor. E institucionet shndërrohen në rekuizita.
E këtu vjen edhe një detaj tjetër i rëndësishëm, që e bën këtë skenar edhe ma të besueshëm: Kurti, sipas kësaj logjike, nuk po e llogaritë si fatal mungesën e disa votave që mund t’i humbë nga aleatët e Vjosës. Ai duket i bindur që ato i kompenzon diku tjetër, prej votave të partive të tjera, sidomos PDK-së dhe AAK-së, që në momente të caktuara e kanë pasë më të lehtë me e votu një emër “mburojë” sesa me hy në zgjedhje të reja.
Thuhet që këto ditë Kurti ka qenë për vizitë në Prekaz. Dhe thuhet që ndermjetesues në këtë aventurë është humanisti Halil Kastrati.
Edhe kjo, nëse del e vërtetë, e ka një logjikë.
Sepse Kurti e ka kuptu që ky operacion s’mundet me u bo thjesht prej partisë. Duhet me u mbështjellë me “shoqëri”, me “humanizëm”, me “ndërmjetës”, me njerëz që s’duken si politikë, por që e kryejnë punën e politikës.
Kjo është teknika e vjetër.
Kur e din që vendimi është i rëndë, ti s’e çon direkt në tavolinë. E çon nëpër korridore, nëpër vizita, nëpër simbolika, nëpër fotografi, nëpër heshtje.
Dhe pastaj, një ditë, e nxjerr në publik si “realitet”.
Tash, ku e lë kjo Vjosa Osmanin?
Pikërisht te dilema që e kemi pa edhe më herët në politikën tonë, dilema e dy të këqijave.
Nëse Vjosa e pranon heshturazi zëvendësimin, ajo del si presidente që u përdor dhe u la, pa e thënë asnjë fjalë.
Kurti, me këtë skenar, po e ndërton një sistem ku presidenti s’është më zgjedhje institucionale, por është mjet i kontrollit politik, mjet i menaxhimit të dy temave të rënda, Asociacionit dhe të gjitha pasojave të tij, dhe dinamikave që mund t’i sjellë Thaçi nëse kthehet në skenë.