Dështim i madh: Nuk futet në agjendë aplikimi për Këshill të Evropës, miqtë e mëdhenj kundër - NACIONALE

Dështim i madh: Nuk futet në agjendë aplikimi për Këshill të Evropës, miqtë e mëdhenj kundër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës vitin e kaluar. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, kishte dorëzuar aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg. Pushteti kishte shprehur gëzim të madh. Por, një lajm shumë i hidhur ka ardhur sot nga Strasburgu.

Ndonëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë bëri bujë të madhe, burimet jozyrtare të Nacionales kanë pohuar se nuk ka pasur vota të mjaftueshme që Kosova të futet në agjendë.

Për mosfutjen e Kosovës në agjendë ka shkruar edhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku e cila ka thënë se "katër shtete njohëse e aleate të Kosovës: Italia, Franca, Gjermania dhe Britania kanë votuar kundër."

"Kosova paguan çmimin e moskoordinimit. Dështimi i shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për antarësim në Këshillin e Evropës dëshmon se sa e ç'orientuar është diplomacia e Kosovës aktualisht. Katër shtete njohëse e aleate të Kosovës: Italia, Franca, Gjermania dhe Britania kanë votuar kundër. Dëshmi e pastër që aplikimi nga Kosova ka qenë vendim i pakoordinuar me shtetet mike." - ka thënë Lushaku.

Nacionale ka provuar të kontaktojë edhe me Zv.Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, por ai ka qenë i paqasshëm.

Më parë, Ahmeti kishte thënë se Kosova i ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por kjo deklaratë ishte qortuar nga Viola Von Cramon.

Ndërsa, kujtojmë se edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ishte shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Pas dorëzimit të aplikacionit, Gërvalla kishte thënë se sot (atë ditë) hapet një kapitull i ri për Kosovën.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon, dhe më optimist në rajon. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Dhe kjo procedurë do të përfundojë me anëtarësim në KE dhe me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje në instanca evropiane”, kishte thënë ajo pas dërezimit të aplikimit.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës rreth aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, pati deklaruar se a aplikimi në KiE ka qenë një veprim i gabueshëm, duke shtuar se tash Serbia ka një vit kohë për të lobuar kundër anëtarësimit.

“E dini, mund t’i bëni gjërat shumë mençur dhe po ashtu mund t’i bëni gjërat me kokëfortësi. Dhe dukshëm, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i bëjë gjërat me kokëfortësi. A është kjo një strategji e mençur? Këtë nuk e di. Natyrisht se e mbështetim rrugëtimin e Qeverisë së Kosovës për t’u bërë anëtar i Këshillit të Evropës. Por, a ishte aplikimi në Këshillin e Evropës në kohë të duhur? Do të thosha JO”, pati thënë Von Cramon, e cila njihet si mike e madhe e Kosovës.

Ajo kishte vlerësuar se ishte jorealiste të pritej që këtë vit Kosova të hyjë në agjendë të Këshillit të Evropës.

“Sepse ishte absolutisht jorealiste të pritej që do të futej në agjendë këtë vit, dhe tash Serbia ka një vit për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës,” - ishte shprehur ajo.

Lajme të ngjashme