Der Standard: Vuçiq po bën luftë propagande me grafite kundër Kosovës
“Der Standard”, një ndër gazeta më të njohura austriake, i ka kushtuar një artikull luftës së madhe propagandistike serbe kundër Kosovës, më theksueshëm atë të kohëve të fundit të grafiteve të llojit “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë” që janë mbishkruar nëpër qytete serbe.
“Këto shenja shpiejnë në dhunë”, shkruan gazeta vieneze, teksa analizon se çfarë do të thotë kjo “kur ushtria serbe të kthehte në Kosovë”.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qartazi dëshiron të përgatisë publikun për përshkallëzim konflikti dhe në të njëjtën kohë ta radikalizojë atë. Grafite të luftës mund të shihen në Beograd afër urës që të çon në qendër të qytetit dhe në ndërtesën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (të Ushtrisë së Serbisë)”, shkruan “Der Standard”.
“Tifozët e Yllit të Kuq të Beogradit përdorën panele me ngjyra për të formuar një fotografi të madhe grupore në stadium javën e kaluar, duke përshkruar një tank në sfondin e flamurit serb. Frika nga lufta është rritur vazhdimisht në muajt e fundit, sepse një pjesë e regjimit serb është nën kontrollin e Kremlinit, i cili ka interes të sfidojë Perëndimin në Ballkan. Vetë Vuçiq shpesh ka treguar se ushtria serbe mund të pushtojë Kosovën dhe ushtarët serbë janë dërguar në kufi”, vijon më tej teksti.
Retorikën shtetërore serbe, “Der Standard” e sheh krejtësisht të ngjashme me atë të Sllobodan Millosheviqit në vitet e nëntëdhjeta.