Krasniqi: Dokumenti i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit ka mbetur në sirtarët e PE-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë për dështim në proceset e integrimit. Ajo ka theksuar se vonesat në marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë pasojë e masave që Bashkimi Evropian i vendosi Kosovës për herë të parë.
Krasniqi ka theksuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dy vjet më parë, por deri tani nuk ka marrë asnjë lajm për statusin e aplikimit.
Sipas deputetes, dokumenti i aplikimit "ka mbetur diku në sirtarët e Parlamentit Evropian", ndërsa pati kritika në adresë të Qeverisë për mungesën e angazhimit në këtë proces.
“Kosova sot dy vjet ka aplikuar në Bashkimin Evropian dhe si duket ai dokument ka mbetur diku në sirtarët e Parlamentit Evropian sepse prej atëherë ne nuk kemi ndonjë lajm në lidhje me këtë aplikim. Ndërsa sa i përket zv.kryeministrit të parë, Besnik Bislimi, e kam ftuar për të disatën herë në Komisionin për Integrim Evropian për të na njoftuar se çfarë është duke ndodhur në proceset integruese të vendit, mirëpo nuk ka gjetur kohë të vij, sidomos kohët e fundit. Dmth dokumenti është diku në sirtar dhe siç po shihet askush nuk është duke bërë asgjë në lidhje me atë aplikim për arsye ju e dini sepse Kosova për herë të parë ka masa nga Bashkimi Evropian. Sot janë bërë 536 ditë ku Kosova është nën sanksione të BE-së”, tha deputetja Krasniqi gjatë një interviste në Klan Kosova.