Deputetja e VV-së duket se s’e kupton mirë shqipen: Deshi ta godiste BE-në, e lavdëroi
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, mësa duket nuk di se fjalitë me mohim të dyfishtë dëftojnë pohim.
Të paktën, kështu na la që të kuptojmë nga një shkrim që zonja Kryeziu Hyseni publikoi në rrjetin “Facebook” të martën pasdite.
Duke i lënë anash gabimet drejtshkrimore, po përqendrohemi te fjalia ku vërehet se deputetja e pushtetit nuk ia ka njohur kuptimin.
Pasi i tërë shkrimi i saj mund të cilësohet kritikë negative ndaj Bashkimit Evropian, merret vesh që fjalia e dytë në shkrimin e deputetes nuk është kuptuar nga autorja (nëse deputetja është autore).
“Pothuajse nuk ka asnjë marrëveshje që ajo si ndërmjetësuese dhe garantuese nuk ka arritur ta implementojë, madje këtë mungesë autoriteti ndaj Serbisë e ka shndërruar në pengesë e sabotim ndaj Kosovës” – shkroi Hyseni.
Përmes pjesës së fundit të fjalisë, kuptojmë që deputetja ka dashur të thotë që BE-ja nuk ka arritur që të implementojë (shqip: zbatojë) pothuajse asnjë marrëveshje. Megjithatë, ajo e ka shkruar të kundërtën, sepse brenda fjalisë ka mohim të dyfishtë.
Për shembull, nëse themi “nuk ka vend në Kosovë që nuk kam arritur që ta vizitoj”, i bie që i kemi vizituar të gjitha vendet në shtetin tonë, pra fjalia kuptimisht dëfton pohim.
Shpresojmë që deputetja Kryeziu Hyseni ta lexojë kritikën tonë dhe ta përmirësojë fjalinë e saj si dhe të mos bëjë gabime të tilla në të ardhmen, sepse mund të dalë në pozitë të palakmueshme, siç doli me shkrimin e djeshëm.