Deputeti i VV-së: Kërcenim i Klinakut ndaj Albin Kurtit nuk duhet të merret seriozisht
Deputeti i VV-së, Alban Bajrami, ka komentuar kërcënimin e Faton Klinakut ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të merret seriozisht.
Bajrami ka thënë se këtyre njerëzve nuk ua ka askush friken.
“Për mua është mesazh i qartë, por prapë se prapë kërcënimet e individëve si Faton Klinaku dhe të atyre që e përkrahën gjatë këtyre ditëve nuk bënë të merren seriozisht ose duhet tua bëjmë me dije që nuk ua ka kush frikën. Kështu që, ata mund të vazhdojnë ta thonë zëshëm, por që nuk ka mbetur më kryeministër, as ministër e as deputet nga pozita që u frikësohet individëve si puna e tij sepse nuk përbëjnë as rrezik”, ka thënë ai për EO.
Edhe Bajrami të parin e OVL-UÇK-së e ka ndërlidhur me PDK-në.
Sipas tij, soji i njerëzve të tillë në fund përfundojnë në listat e PDK-së.
“Duket që sa herë PDK-ja do të ngrisë një çështje e ka shumë të lehtë që ta ngrisë përmes Faton Klinakut dhe shokëve të tij. Edhe në të kaluarën, kur soji i Faton Klinakut dukej kritikues ndaj qeverisë në fund përfundonte në listën e PDK-së. Kjo me gjasë bëhej me qëllim që ta nxisnin ish-luftëtarin e luftës që ta votojë një si Fatonin e ish-kryetarët e OVL-UÇK-së, por që në fakt shihet qartë se nga zyrat e UÇK-së është shumë më lehtë të dërgohet një mesazh në OVL-UÇK e ata ta thonë në publik”, është shprehur deputeti i VV-së.