Deputetët i “harrojnë” mesazhet e Bajramit për “sakrificë” e “solidaritet”, askush s`reflekton për ngërçin
Për nder të ditës së Kurban Bajramit, liderët politikë dhe deputetët e Kosovës për pak kohë i harruan inatet politike.
Pas faljes së namazit të Bajramit, pothuajse të gjithë shkruan mesazhe urimi, ku bënin thirrje për uniteti e harmoni.
Pothuajse në secilin status përmendeshin fjalët “sakrificë” e “solidaritet”. Por një ditë më pas, në ditën e dytë të Bajramit, deputetët i harruan këto mesazhe.
Më tu kthyer në sallë e Kuvendit për të tentuar konstituimin e legjislaturës së nëntë, ata iu kthyen avazit të vjetër.
Askush prej tyre nuk reflektoj për t`i hapur rrugën formimit të institucioneve të reja.
Edhe në tentativën e 28-të për konstituimin e Kuvendit, ata u barrikaduan në qëndrimet partiake, duke e kritikuar njëri-tjetrin se po e bllokojnë vendin.
Njëra nder deputet që nuk iu përmbajt mesazhit të ditës së Bajramit ishte edhe kandidatja e VV-së, Albulena Haxhiu.
“Me fat festa e Kurban Bajramit! Urime të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë! Kjo ditë e shenjtë na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit dhe rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin. Le të na frymëzojë të jemi më të bashkuar, me më shumë respekt dhe të punojmë për një shoqëri më të drejtë. Paçi paqe, gëzim dhe shpresë në zemrat dhe familjet tuaja”.
Ky ishte mesazhi i Haxhiut për ditën e festes, por sot ajo i ftoi partitë tjera që ta sfidojnë VV-në për formimin e Qeverisë.
“Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pas ndërprerjes së seancës së sotme.
Ajo nuk ka treguar se kush janë ata deputetë që nuk votojnë për të, por vetëm për formimin e Qeverisë.
“Këta e dinë që i kemi votat për Qeverinë dhe duke e ditur që i kemi votat për qeverinë e mbajnë peng Kuvendit e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Edhe liderët e partive politike dhe deputetët tjerë dje kanë shkruar statuse me përmbajtje unifikuese, por sot nuk e kanë respektuar përmbajtjen e tyre.
Deputetët e PDK-së dhe LDK-së sot kanë vazhduar të fajësojnë për ngërçin politik VV-në.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur keqardhje për dështimet e vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit.
Ajo ka thënë se nuk është në rregull të normalizohet një gjë e tillë.
“Fatkeqësisht situata absurde në Kuvend po vazhdon.. S’është në rregull të normalizohet kjo situatë. Bëj thirrje për reflektim. Ne si PDK kemi ofruar zgjidhje. S’është koha të barrikadohemi. Kosova është shumë më e madhe se secila parti, e secili prej nesh veç e veç.”, ka thënë Çitaku.
Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se kjo çka po ndodhë është e tepërt.
Sipas tij, VV-ja duhet të lëshojë rrugë.
“Nuk kemi indickacion që LVV ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituim dhe krijimin e qeverisë së re. Ata ose duhet të hapin rrugë, ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçet”, është shprehur Zemaj.
Përpjekja e radhës, ajo e 29-ta, për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të hënën në ora 11:00.