Sot pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës: Deputetët mblidhen në ora 10:00
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të do të mbahet sot, duke filluar nga ora 10:00.
Një ditë para skadimit të afatit kushtetues, deputetët e partive parlamentare do të mblidhen për herë parë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor.
Rendi i ditës për këtë seancë, e cila do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i ri, është i qartë.
Fillimisht do të bëhet formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, pastaj do të bëhet betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, vetëm me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe gjithë nënkryetarëve mund të konsiderohet seanca konstituive e mbyllur.
Kandidate për kryetare të Kuvendit pritet të jetë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila këtë pozitë e ka ushtruar edhe në legjislaturën e kaluar.
Ndërsa, partitë politike ende nuk kanë treguar se kënd do ta propozojnë për nënkryetarë.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, ky institucion duhet t`i këtë pesë nënkryetarë. Nga një nënkryetar iu takon tri partive më të mëdha shqiptare(VV-së, PDK-së dhe LDK-së), kurse dy nënkryetarë iu takojnë minoriteteve( një komunitetit serb dhe një komuniteteve joserbe).
Konstatimi i Kuvendit i hap rrugë zgjedhjes së Qeverisë së re, e cila pritet të formohet nga partia e Albin Kurtit.
Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet të zgjidhet presidenti, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Për këtë çështje, VV-ja ka filluar negociatat me LDK-së.
Deri me tani liderët e këtyre partive i kanë zhvilluar tri takime, por asnjeri prej tyre nuk është treguar i suksesshëm.
I fundit ka qenë takimi i djeshëm që është realizuar në ambientet të Kuvendit në mes të Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Pas takimit, lideri i VV-së ka thënë se nuk ka ndonjë rezultat.
“Nuk kemi lajme, përderisa s’kemi marrëveshje. Po, kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë takim.