Denoncimi i Haxhiut në Facebook, analistët e kritikojnë - ministrja vazhdon postimet - NACIONALE

Denoncimi i Haxhiut në Facebook, analistët e kritikojnë - ministrja vazhdon postimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një denoncim i një dhunimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është ndër temat më të debatuara që nga dje. Madje, “zonja e hekurt” e drejtësisë vazhdon të jetë emër shumë i diskutuar, aq sa është ende i popullarizuar në Facebook. Ajo publikisht shkroi rreth një tentim dhunimi të një 14 vjeçar, të cilën Haxhiu tha se ia rrefeu prindi i vajzës.

E çfarë zgjodhi të bëjë ministrja Haxhiu?

Krejt çka bëri ajo ishte një status në Facebook. Statuse, statuse, statuse...dhe një kërcënim për ndjekje penale ndaj një qytetari.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë!”, shkroi Haxhiu duke treguar se këtë status e bëri me leje të prindit.

Pas këtij shkrimi, një mori reagimesh, shumë kritike, shkuan në adresë të zonjës Haxhiu.

Ajo duket të jetë nervozuar nga reagime, aq sa paralajmëroi ndjekje penale ndaj një qytetari që ironizoi në një mënyrë pak më të rëndë me postimin e Haxhiut.

“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici!”, shkroi Haxhiu, duke bashkangjitur një “screenshot” të postimit të qytetarit.

Edhe ditë e marte, zonja Haxhiu e ka hapur me një postim, e ku nuk tregoi nëse e ka lajmëruar në Polici qytetarin.

"Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq.

Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t'i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim!", shkroi ajo.

Reagimet

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë publikimi i rasteve të dhunës nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është qasje e gabusheshme dhe ndjellë frikë.

“Fushatat vetëdijësuese krijohen nga profesionistët ku përfshihen të gjithë akterët, jo statuse të pamenduara mirë për efektet e saja!”, ka shkruar ajo.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, ironizoi me ministren e Drejtësisë, duke shkruar se ajo duhet të punojë e jo të shkruar statuse.

“Kurrgja nëse s'çohet Albulena nesër me protestue prapë para ministrisë së Xhelalit. Opozitare n'shpirt: nji status, të nesrit nji protestë qaty, edhe u mshel kjo temë. Se mos po habitesh pa hiri me u kujtue se qe gati dy vjet je në pushtet.”, ka shkruar ai.

E në statusin e zonjës Haxhiu, komentoi edhe avokati i njohur, Arianit Koci, duke thënë se qytetarin e apostrofuar e mbron liria e shprehjes.

“Më falni zonja ministreshë Albulena Haxhiu, ashtu funksionon shoqëria e cila lirinë e shprehjes e ka një prej postulateve kryesore.”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Ndërsa, Imer Mushkolaj, analist i njohur, shkroi se pushteti po kërcënon me padi për statirë e humor.

“Pushteti po kërcënon me padi njerëzit edhe për humor e satirë. Dobët, fort dobët.”, shkroi ai.

Adriatik Kelmendi, gazetari, e herë pas here edhe opinionist e shkrimtar, shkroi se ministrja Haxhiu duhet të procedojë penalisht edhe militantët.

“Nëse ministrja e Drejtësisë ndjek penalisht një person që është tallur në Facebook - sado e papranueshme dhe e pashije tallja e tij - atëherë të gjithë duhet t’i kërkojmë asaj si ministre t’i procedojë penalisht të gjithë ata militantë që shajnë, kërcënojnë, fyejnë e tallin nëpër rrjete sociale.

Aida Dërguti, ish-deputete e VV-së, i dha një ide ministres Haxhiu në lidhje me dhunimet seksuale.

“Ja një ide për shpirtin opozitar të ministres Haxhiu: si grua e pushtetshme në fushën e drejtësisë, mundet ta fillojë një fushatë kundër abuzimeve seksuale me vajza të mitura në stilin #metoo”, komentoi ish-deputetja e VV-së.

Lajme të ngjashme