Demush Shasha për liberalizimin e vizave: Tonat kryhen, veç saber e selamet
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar rreth çështjeve të vizave, dhe raportimet se Franca ka kushtëzuar këtë proces.
Shasha fton që këto zhvillime të mirren me urtësi, pasi ende nuk e kemi të qartë se çfarë është diskutuar në takimin brenda Këshillit të BE-së.
“Tonat kryhen veç saber e selamet. Duhet marr me urtësi këtë lajmin për “kushtëzimin e Francës” për liberalizimin e vizave, pasi që nuk kemi ide se çfarë më saktësisht është diskutuar gjatë takimit të sotëm brenda grupit punues për viza të Këshillit të BE-së. Takimi i sotëm ka qenë takimi i parë. Nesër do të vazhdoj diskutimi, e kështu edhe pasnesër e edhe gjatë ditëve në vijim. Prandaj, mesazhi i parë – të mos ngutemi me nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme, por të presim të zhvillohen këto diskutime dhe më pastaj të kuptojmë më saktë çfarë është rezultati i tyre”, ka shkruar Shasha.
Ai po ashtu ka komentuar edhe sa i përket sistemit ETIAS, e cila po raportohet si arsye që Franca e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Sasha thotë se ETIAS nuk është kusht por obligim.
“E dyta, sa i përket sistemit ETIAS, nuk arrijë të shoh asnjë problem. Kjo nuk është kusht, është obligim. Pra, çdo qytetar i Kosovës sikur çdo qytetar tjetër në botë do të jetë i obliguar të merr autorizimin për udhëtim brenda zonës Shengen nga sistemi i ETIAS-it. Pak a shumë njëjtë sikur tani që ka filluar të zbatohet për udhëtime në SHBA sistemi ESTA. Por sistemi ETIAS do të fillon së punuari nga nëntori 2023 dhe nuk e kuptoj saktë çfarë punë ka Kosova me këtë, pasi që ky është sistem i BE-së. Sa i përket kyçjes së Kosovës në sistemin ETIAS besoj është kohë më se e mjaftueshme nga sot deri në nëntor 2023 të bëhen përgatitjet për ndërlidhshmerinë e sistemeve të sigurisë. Njëjtë sikur ne do të përgatiten të gjitha vendet në botë, pasi që ETIAS-i do vlejë për të gjithë”, ka shkruar Drejtori i Institutit EPIK.
