Deklarohet Rama: Qysh nisën përçarjet me PDK-në?
Gjatë kësaj jave u konfirmua edhe zyrtarisht se koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës është ndërprerë. Këta të fundit, e konfirmuan këtë përmes një reagimi publik. Cila është “e vërteta” e Përparim Ramës dhe si filluan përçarjet?
Kryetari i kryeqytetit në një intervistë ka thënë se pakënaqësitë e ish-partnerit të koalicionit nisën në tetor 2023, dhe kjo sipas tij, për shkak që “nuk iu dërguan pikat e rendit të ditës”.
“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”- ka thënë ai në “Kallxo Pernime”.
Sipas Ramës, problemi me mbeturinat ka qenë nga fillimi dhe janë ndarë fonde e subvencione për drejtorin, por sipas tij, nga ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i ishte thënë se “e kanë plan ta zgjidhin”.
“Në gusht u kam thënë se kjo është e fundit sepse nëse nuk ka mundësi të kryejë punë vetëm “‘Pastrimi”, na duhet ndihmë. Më janë lutur të vazhdojë deri në nëntor, drejtori i Shërbimeve Publike, ‘Pastrimit’ dhe nënkryetarja”- citohet se ka thënë ai, duke vazhduar më pas se zgjidhja nuk është bërë.
Rama ka thënë se vendimi nuk ka të bëjë me Badovcin, ndërsa për Donjeta Sahatçiun, ish-nënkryetaren e shkarkuar tashmë, ka deklaruar se “ka sabotuar planin e komunës për digjitalizim”.
Shkëputja e koalicionit
Gjatë kësaj jave, nënkryetari i PDK-së dhe kryetari i degës së partisë në Prishtinë, Uran Ismaili konfirmoi se kanë ndërprerë koalicionin me LDK-në.
Ai si arsye dha shkarkimin e nënkryetares Donjeta Sahatçit dhe drejtorëve të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa ky vendim, erdhi pas shfuqizimit të vendimit për Badocin.
“Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.” – ishte shprehur ai.
Largimi i PDK-së nga koalicioni me LDK-në në Prishtinë, erdhi pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shkarkoi nënkryetarën nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.
Ndërkohë një tjetër proces që duket se çoi në prishjen e koalicionit është edhe çështja e shkëmbimit të pronave në Badoc me ato në pjesën ku njihet si Prishtina e Re.
Megjithatë, tashmë mbetet të shihet nëse Përparim Rama do të arrijë të formojë shumicën në Kuvendin Komunal për të kaluar vendimet.