Deklarohet Memli Krasniqi pas takimit: Kurtit i thashë të mendojë për kandidatë të tjerë
Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Krasniqi para gazetarëve e bëri të qartë se qëndrimet e partisë që ai drejton vazhdojnë të jenë të njëjta.
“Pak më parë përfundova takimin me kryetarin e VV-së, deputetin Albin Kurti, me të cilin kemi shkëmby ide dhe diskutime sa i përket konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Qëndrimet janë ato që ju i dini, e kam thënë këtu para jush, ia thash edhe Kurtit përsëri, që për PDK-në është shumë me rëndësi që sa më shpejt të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet, e të hyret në afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë së ardhshme” – tha fillimisht ai, transmeton Nacionale.
Tutje, kreu i PDK-së u shpreh se i takon VV-së ta propozojë kandidatin dhe se ka kërkuar nga Kurti që ta mendojë një figurë tjetër.
“VV-së i takon ta propozojë kandidatin, meqenëse është hera e parë që një parti apo koalicion që s’ka shumicë parlamentare po kërkon me zgjedhë kryetarin ose kryetaren që dëshiron, atëherë një gjë e tillë nuk mund të imponohet
z.Kurti i thash që do të ishte mirë të mendohet për kandidat apo kandidatura të tjera, siç kam thënë këtu, ne nuk kemi pasë qëllim bllokues, mohues, nuk na takon neve me zgjedh kryetarin e partisë që ka dalë e para.
Ne s’kemi marrëveshje politike, as s’po merremi me një çështje të tillë, qëndrimet tona i dini. Po themi na lejoni ta votojmë një figurë që mund të jetë e pranueshme, dhe tashmë janë së paku dy opsione që janë përmend nga kolegët e opozitës që mund t’i kenë votat.
Nënkryetarët as që diskutohen” – tha ai, transmeton Nacionale.
Krasniqi ka thënë se kreu i VV-së, Albin Kurti mund të përgjigjet për pjesën tjetër të takimit, duke ironizuar, “nëse ndalet para gazetarëve”.
“z.Kurti ua jep përgjigjet vet, nëse mundeni me e nxanë dikun me ua dhënë përgjigjen, se deri tash nuk keni enë shumë të suksesshëm sa e kom pa, përkundër që jemi këtu çdo ditë. Unë nuk jap propozime, atij i takon.
Propozime nuk jap, sepse s’du me i dëmtu ata që munden me qenë kryetar, nëse them ky ose ai, mendoj që këta e shkonsiderojnë” – tha ai.
Theksojmë se për pak pritet të vazhdojë për herën e nëntë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Nëse Albulena Haxhiu është sërish e propozuara e Vetëvendosje, kjo pritet të jetë hera e shtatë që kandidatura e saj hedhet në votim.