Deklarimi i Escobarit për probleme “në komunikim” me Kurtin e shqetëson opozitën: "Alarmi i fundit për ne" - NACIONALE

Deklarimi i Escobarit për probleme “në komunikim” me Kurtin e shqetëson opozitën: "Alarmi i fundit për ne"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare në vend janë shprehur shqetësuara lidhur me deklarimet e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë probleme “në komunikim” me kryeministrin Albin Kurti. Për PDK-në e LDK-në kanë shprehur shqetësimin e tyre për dëmtimin e raporteve me aleatët nga Qeveria Kurti.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ka komentuar qëndrimin e Escobarit, teksa dyshon se Qeveria Kurti koordinohet me aleatët.

Çitaku përmes një postimi në Facebook, ka ngritur shqetësimin për të kuptuar se me kë po koordinohet kryeministri Albin Kurti, nëse jo me partnerët kryesorë si ShBA, BE, NATO.

“Pyetja është me kë po koordinihet Kryeministri, nëse jo me SHBA-të, BE-në, NATO-n, Shqipërinë? Ky është alarmi i fundit për ne.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, që tha se raportet e Qeverisë Kurti nuk janë të mira edhe me shtetet tjera, jo vetëm më SHBA-në.

Haziri ka thënë se Kurti ka raport edhe më të keq me “opozitën në Kosovë, me sindikatat, shoqërinë civile, problemet ekonomike dhe të gjithë sektorët e mëdhenj”.

“Deklarata e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, për raportet e qeverisë Kurti me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe me fqinjtë e Kosovës, e fakton atë që ne e kemi thënë tash e disa muaj. Por, raporti i z. Kurti është edhe më i keq në raport me opozitën në Kosovë, me sindikatat, shoqërinë civile, problemet ekonomike dhe të gjithë sektorët e mëdhenj. Ky raport është përkeqësuar në të gjitha sektorët dhe në të gjitha drejtimet.” – ka shkruar ai në Facebook.

“Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, kish ra nëpërmjet formave të tjera.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë edhe anëtarë të tjerë të opozitës kanë folur për qëndrimin e Esobarit, por përveç opozitës edhe analistët të zhvillimet politike kanë kritikuar qasjen e Kurtit në raport me aleatët.

“Jo veç me ne, ka probleme edhe me BE-në e NATO-n”

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedë me gazetarë, ka thënë se Kosova komunikimi jo të mirë nuk e ka veç me ShBA-në, por edhe me BE-në, NATO-n, Britaninë e Madhe.

Ai thotë se këtë problem Kurti e ka edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Partneriteti mes ShBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe ShBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është veç ShBA-ja, këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën.” – tha ai.

Gjithashtu, gazetari i Nacionales, Xhezair Dashi në këtë konferencë e pyeti Escobarin se pse ende nuk është dërguar drafti i Asociacionit për shqyrtim në Kushtetuese.

“E kemi të vështirë ta kuptojmë pse s’e kanë dërguar ende në shqyrtim te Kushtetuesja. Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive.” – ka thënë ai.

Escobar ka përsëritur se formimi i Asociacionit është ligjërisht i obligueshëm, dhe e bëri të qartë se nuk pranojnë kurrfarë arsyetimi nga Qeveria e Kosovës.

“Është thjeshtë mundësia për komunat, komunat me shumicë serbe që të koordinohen, në gjuhën serbe, për qytetarë të Kosovës. Është ligjërisht i obligueshëm. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë. Besojmë që e gjithë çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit.” – ka thënë diplomati amerikan.

Escobar pritet që mërkurën të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Lajme të ngjashme