Deklaratat e Kurtit: Lulzim Rafuna ia gjen dy vende evropiane ku ministrat e Financave e morën drejtimin e odave ekonomike
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ky ku i fundit tha se është përçudnim sesi dikush si ministër i Financave dikur të bëhet kryetar i Odës Ekonomike të Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Deklaratë kjo që Kurti e bëri në emisionin “Politiko” në Kanal10, kur iu tha se Qeveria nuk ka një dialog të mirë me odat.
“Oda Ekonomike Kosovës i mbylli hyrjet dhe daljet e Prishtinës me një rast. Këtë e bëri kryetari i kësaj ode i cili ka qenë ushtrues detyrës i Ministrit të Financave në kohën e PDK-së. Kjo i bie që kryetari i OEK-ut herën e ardhshme me u bë Avni Zogiani, kështu është Rafuna. Nuk ia ndaloj Zogianit, por nuk bëhet. Kur thoni Oda Ekonomike, njeriu mendon që aty është një ndërmarrës i zellshëm. Ka qenë ministër i financave. Më gjeni një vend demokratik ku ministri i Financave bëhet kryetar i Odës Ekonomike. Ministri I financave, kryetar i OEK-ut këto janë përçudnim në vendin tonë, këto janë përcudtni që janë trashëgimi e mbrapsht e të kaluarës”, tha mbrëmë Kurti.
Por kryetari i OEK, Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online ia ka gjetur Kurti shembujt të ngjashëm që kanë ndodhur në vende të tjera, e po ashtu ka sqaruar pozicionin e tij të dikurshëm.
“Për hir të korrektësisë, kryeministri Kurti nuk e di, por për hir të korrektësisë së publikut, unë asnjëherë nuk kam qenë ushtrues i detyrës së ministrit të Financave; kam qenë ministër në detyrë, dhe është dallim shumë i madh mes ushtruesit të detyrës dhe ministrit në detyrë. Kam qenë ministër në detyrë që kam mbuluar një fazë të tranzicionit. Sa i përket asaj që nuk është praktikë, më lejoni t’ju sjell vetëm dy shembuj konkretë, që në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian janë ministrat që janë edhe kryetarë të odave. Shembull, e kemi kryetarin e odave evropiane, i cili është edhe ministër i Ekonomisë së Çekisë dhe ai tani ushtron për dy mandate si president i odës evropiane; po ashtu e kemi edhe kolegun nga Oda Ekonomike e Kroacisë”, tha ai.