“Dëgjo çka të them, mos bëj çka bëj unë” – Koha kur Kurti e krahasonte rritjen ekonomike me vitin e pandemisë - NACIONALE

“Dëgjo çka të them, mos bëj çka bëj unë” – Koha kur Kurti e krahasonte rritjen ekonomike me vitin e pandemisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sigurisht të gjithë e keni dëgjuar një thënie, e cila në popull përdoret kur flasin për hoxhallarët. “Dëgjo çka të them unë, e mos bëj çka bëj unë”, është shprehja e cila përdoret kur fjalët e hoxhallarëve nuk përkojnë me veprimet e tyre.

Por, pa dashur që kjo çështje të ndërlidhet me fenë, rimë të njëjtë po e përdorin edhe eksponentë të partisë në pushtet. Më saktësisht zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. Ky i fundit është kapur me mediat, të cilat sot raportuan se importet nga Serbia janë rritur dukshëm në kohën e qeverisjes Kurti.

Madje krahasuar me vitin 2019, janë rritur për 300 milionë. Kurse, krahasuar me vitin 2020, importet nga shteti serb janë rritur për mbi 125 milionë euro.

Ky raportim nuk i ka pëlqyer Përparim Kryeziut, i cili ka thënë se nuk mund të krahasohet koha e pandemisë, me periudhën aktuale.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufinjtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin social facebook.

Megjithatë, thirrjen që Kryeziu po ua bën mediave, nuk e ka respektuar as vetë shefi i tij në qeveri, kryeministri Albin Kurti. Ishte vetë shefi i ekzekutivit kosovar që në vazhdimësi, ka bërë krahasime të rritjes ekonomike me vitin 2020, kur ishte pandemi. Një gjë të tillë të paktën, po e thotë edhe vetë zëdhënësi i qeverisë.

Krahasimet e Kurtit, që zëdhënësi i qeverisë po ua kritikon mediave

Ishte muaji shkurt i vitit 2022, kur kryeministri Albin Kurti, u takua me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH). Aty, shefi i qeverisë u lavdërua paksa me rritjen ekonomike të Kosovës. Por, krahasimin e mori me vitin 2020 kur ishte kohë pandemie.

“Pas një tkurrje prej 3% në vitin 2020, ne patëm një rikthim të fortë në vitin 2021 me 9.9% rritje ekonomike. Diskutova për situatën tonë të mirë makroekonomike me Presidentin e Berzh Odile Renaud. Strategjia jonë e ardhshme e energjisë për 2022-2023, në të cilën do të punojmë së bashku për të arritur objektivat tona”, shkruante kryeministri Kurti pas takimit.

Krahasime me vitin e pandemisë, kryeministri Kurti bëri edhe gjatë mbledhjeve të qeverisë. Në një të tillë në muajin prill të këtij viti, ai thoshte se rritja ekonomike është shumë e madhe krahasuar me vitin 2020. Kohën kur zëdhënësi i Kurtit, po thotë se nuk duhet të jetë periudhë për krahasim.

“Investimet në vendin tonë tashmë po vijnë e po shtohen. Krahasuar me vitin 2020, kemi pasur rritje të Investimeve të Huaja Direkte, në vitin 2021 pra prej 22%, rritja e eksporteve ishte për mbi 83%, e të hyrave tatimore ishte për 34 për qind ndërkaq rritja e investimeve kapitale në vitin 2021, krahasuar me vitin para atij, pra të 2020, ishte për 10.3%”, kishte thënë Kurti në këtë mbledhje të qeverisë.

Me rritjen ekonomike të vendit, por duke bërë krahasime me vitin 2020, kryeministri Kurti ishte lavdëruar edhe para disa investitorëve gjermanë po në prill të këtij viti.

“Investimet në vendin tonë tashmë po vijnë e po shtohen. Krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 kemi pasë rritje të investimeve të huaja direkte prej 22 %. Rritja e eksporteve ishte për mbi 83 % e të hyrave tatimore për 34 %, ndërkaq rritja e investimeve kapitale në vitin 2021 krahasuar para tij, atë 2020, ishte për 10.3 %. Në këtë vit e kemi rritjen e buxhetit, krahasuar me vitin 2020, prej më shumë se çerekun – rreth 26 %. Krahasuar me vitin paraprak kemi rritje të buxhetit prej 9 % ndërkaq me rishikim prej 15 %”, kishte thënë kryeministri i Kosovës.

Krahasime të tilla nuk është vështirë të gjenden.

“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore që ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetori dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019”, ka deklaruar Kurti në muajin dhjetor të vitit 2021, teksa fliste për ekonominë në vend.

Me ardhjen e Kurtit në qeveri, në kohën e qeverisë Kurti I ishte shfuqizuar vendimi për taksën 100 % ndaj produkteve serbe, i vendosur nga qeveria paraprake, e cila kryesohej nga Ramush Haradinaj. Në këtë rast Kurti, pati shpjeguar se planet e tij janë që këtë masë ta zëvendësonte me idenë e reciprocitetit.

“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, pati pohuar Kurti në vitin 2021.

Ndonëse kanë kaluar më tepër se një vit nga ai deklarim i Kurtit, masa e re e reciprocitetit nuk është vendosur asnjëherë. Për më tepër, kohëve të fundit as zyrtarët e ekzekutivit nuk flasin për të.

Ndërsa bilanci tregtar i Kosovës me Serbinë, po vazhdon të mbetet ai i njëjti – me produktet serbe qe dominojnë tregun kosovar.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të raportuara nga Kallxo.com, dëshmohet një ngritje e paprecedent e importeve serbe në Kosovë. Përderisa në vitin 2019, kohën kur taksa 100 % ishte në fuqi, Serbia kishte eksportuar vetëm 6 milion euro, në vitin 2020 importi serb ishte shumëfishuar – kjo falë vendimit të qeverisë Kurti I, për largim të taksës 100 %.

Në vitin 2020, Serbia kishte eksportuar 174 milion euro në tregu kosovar. Trendi i ngjashëm i rritjes vazhdoi edhe më tutje, ku në vitin 2021, Serbi eksportoi rreth 306 milion euro në tregun kosovar.

Lajme të ngjashme