Dedaj në Speciale: Mora qindra ofendime, edhe nga zyra e presidentes së ashtuquajtur Osmani - NACIONALE

Dedaj në Speciale: Mora qindra ofendime, edhe nga zyra e presidentes së ashtuquajtur Osmani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa po dëshmon në Gjykatën Speciale, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj e ka përmendur edhe një herë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se “ka marrë qindra ofendime nga hienat e Facebookut”, si dhe nga zyra e presidentes së vendit.

“Të gjitha deklaratat e mia prej vitit 2001, mu ka dashtë shumë kohë me kuptu saktë kush ka bashkëbiseduar me mua. Presidenti Thaçi fajin më të vogël nuk e ka për atë situatën në Qirez e Baicë. Mos të ishte ky atje nuk e di çfarë do të kishte ndodhur me ne. Kam marrë me qindra ofendime prej hienave të facebookut prej milingonave edhe nga zyrja e presidentes, e ashtuquajtur Osmani, e cila e dimë si ka ardhur presidente, ka qenë në LDK, e ka keqpërdorur LDK-në. Ka hakmarrje edhe ndaj fëmijëve të mi që janë në punë.” – u shpreh ai.

Vlen të theksohet se Dedaj e përmendi edhe dje Osmanin, derisa po dëshmonte duke deklaruar se “u shkarkua brutalisht nga ajo”.

“Në vitin 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kam qenë zv/ministër në disa dikastere, zv/ministër i jashtëm, dhe së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm dhe brutalisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj.” – tha ai.

Për këtë, Dedajt i reaguan edhe nga Zyra e Presidentes, këshilltari për media, Bekim Kupina, deklaroi se Dedaj ka gënjyer në deklaratat e tij.

“Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s'e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra!” – shkroi ai në Facebook.

Vlen të theksohet se Dedaj, disa herë përsëriti që kur filloi dëshminë se ka kërkuar të dëshmojë në seancë të hapur.

Siç raportoi Nacionale, 90 për qind e dëshmitarëve deri më tani kanë pasur masa mbrojtëse, por Prokuroria nuk ia ka aprovuar kërkesën Dedajt.

Çuditërisht, sepse përveç masave mbrojtëse, shumica e seancave deri më tash kanë qenë tërësisht të mbyllura, po me kërkesë të Prokurorisë.

Dedaj në lidhje me këtë ka thënë se në këtë formë i rrezikohet familja.

“Iu kam kërku që me pas seancë të mbyllur që mos me ma rreziku familjen, por nëse qëllimi i juaj është me hap plagë të reja atëherë vazhdoni.” – u shpreh ai në seancë.

Lajme të ngjashme