DEA: Më 2022 konfiskuam fentanil që do të mjaftonte për t’i vrarë të gjithë amerikanët - NACIONALE

DEA: Më 2022 konfiskuam fentanil që do të mjaftonte për t’i vrarë të gjithë amerikanët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjentët amerikanë për luftimin e trafikimit të drogës kanë thënë se këtë vit kanë konfiskuar sasi të fentanilit që do të mjaftonte për t’i vrarë të gjithë banorët e Shteteve të Bashkuara.

Administrata Zbatuese për Droga (DEA) ka thënë se ka penguar 379 milionë doza potencialisht vdekjeprurëse të drogës së rrezikshme – kjo dozë është vetëm dy miligramë -, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta “Nacionale”.

Sipas DEA-s, fentanili, substancë që krijon varësi të fuqishme dhe që është 50 herë më e fortë se heroina, është kërcënimi më vdekjeprurës nga drogat me të cilin ballafaqohen Shtetet e Bashkuara.

Kjo agjenci thotë se shumica e fentanilit trafikohet në Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

DEA tha se ka konfiskuar më shumë se 4 mijë e 500 kilogramë fentanil si dhe 50,6 milionë pilula fentanili, të cilat ishin prodhuar në atë mënyrë që të dukeshin si ilaçe të ndryshme kundër dhimbjes. Kjo sasi është më shumë se dyfish më e madhe se fentanili i konfiskuar nga DEA vitin e kaluar.

Shumica e kësaj droge është prodhuar në sasi masive në fabrika sekreteMeksikë nga kartelet e drogës, “Sinaloa” dhe “Jalisco”, të cilat përdorin lëndë kimike që e kanë burimin në Kinë, tha DEA.

Fentanili është drogë aq e fuqishme, saqë një dozë vdekjeprurëse e saj është aq e vogël, sa mund të vendoset në majën e lapsit.

Më shumë se 100 mijë amerikanë vdiqën nga mbidoza e drogës vitin e kaluar. Thuhet se dy të tretat e viktimave kanë vdekur nga përdorimi i fentanilit. DEA tha se sasia e fentanilit të konfiskuar këtë vit është e mjaftueshme për t’i vrarë të gjithë 330 milionë banorët e Shteteve të Bashkuara.

“Prioriteti kryesor operacional i DEA-s është që t’i mposhtë dy kartelet meksikane të drogës – “Sinaloa” dhe Jalisco” (CJNG) – që janë në radhë të parë përgjegjëse për fentanilin që po i vret amerikanët sot”- tha administratorja e DEA-s, Anne Milgram.

Përpos fentanilit, DEA këtë vit konfiskoi edhe rreth 59 mijë e 400 kilogramë metamfetaminë, rreth dy mijë kilogramë heroinë dhe mbi 200 mijë kilogramë kokainë.

Lajme të ngjashme