DASh: Privatisht dhe publikisht i kemi thënë qeverisë kosovare ‘jo tash’ për hapjen e Urës së Ibrit
Departamenti amerikan i Shtetit sërish është shprenur se nuk mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për automjete duke treguar që këtë qëndrim ia kanë përcjellur qeverisë kosovare “publikisht dhe privatisht”.
“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani, rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të DASh për “Zërin e Amerikës”.
“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.
Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.
“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.