Dardan Molliqaj për Draft-Statutin: VV u ngrit kundër ndarjes etnike të vendit - po jetësojnë Asociacionin - NACIONALE

Dardan Molliqaj për Draft-Statutin: VV u ngrit kundër ndarjes etnike të vendit - po jetësojnë Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe kryetari i Partisë Social-demokrate, Dardan Molliqaj, ka komentuar Draft-Statutin e ekspertëve gjermanë që u publikua sot nga gazeta Nacionale.

Molliqaj ka qenë vazhdimisht mes kundërshtuesve më të ashpër të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky qëndrim i tij nuk ka ndërruar edhe pas largimit nga Vetëvendosje, ndërkohë që ka akuzuar ish partinë e tij se nuk po shfaqet transparente në lidhje me dialogun por as çështjen e Asociacionit.

“Sipas kësaj (këtij Draft-Statuti) më para ndërron Kushtetuta, se sa kompetencat ekzekutive të Asociacionit.” - u shpreh për Nacionalen z. Molliqaj.

“Tutje, klauzola e adresimit të kontesteve në Gjykatën Kushtetuese si masë garancie apo kontrolluese e rendit kushtetuese nuk e ka peshën e mjaftueshme për ta siguruar unitetin e rendit kushtetues. E kemi shembullin sesi Gjykata Kushtetuese nuk ka mundur ta detyrojë qeverinë në zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit. Ky shembull do të na bëhet rregulli që do ta studiojë vendin.” – komentoi z. Molliqaj.

Kryetari i PSD-së më pas thotë që Draft-Statuti përbën “rrëshqitje në drejtim të një entiteti politik të pavarur.”

Molliqaj shton se Qeveria e Kurtit i ka dhënë “ngjallje dhe ritëm” asaj që as Qeveritë e kaluara nuk ia dilnin t’i jepnin.

“Pikërisht kjo parti që u ngrit kundër ndarjes etnike të vendit, po e shfrytëzon legjitimitetin që ka për ta jetësuar Asociacionin.”

Vlen të thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar Draft-Statutin e ekspertëve gjermanë të publikuar nga Nacionale.

Përgjigja e plotë dhe pa ndërhyrje e z. Molliqaj:

Ky draft që po qarkullon është në thelbin e tij i njëjti me atë të kaluarin. Krejt çka shohim tani është orvatje për ta ambalazhuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. Sipas kësaj, më para ndërron kushtetuta, sesa kompetencat ekzekutive të asociacionit.

Tutje, klauzola e adresimit të kontesteve në Gjykatën Kushtetuese si masë garancie apo kontrolluese e rendit kushtetuese nuk e ka peshën e mjaftueshme për ta siguruar unitetin e rendit kushtetues. E kemi shembullin sesi Gjykata Kushtetuese nuk ka mundur ta detyrojë qeverinë në zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit. Ky shembull do të na bëhet rregulli që do ta studiojë vendin.

Kjo është rrëshqitje në drejtim të një entiteti politik të pavarur. Shto fakti që do të ketë të drejtën e komunikimit me palë të treta vendore dhe ndërkombëtare, gjë që i jep edhe më shumë fuqi politike të një autonomie.

Procesi i dialogut me qeverinë e re është përcjellë me ecuri të vjetër. Por një gjë që nuk kanë mundur ta shtyjnë përpara as qeveritë e kaluara, siç po dëshmohet çdo ditë, e ngjalli dhe i dha ritëm qeveria Kurti. Pikërisht kjo parti që u ngrit përkundër ndarjes etnike të vendit, po e shfrytëzon legjitimitetin që ka për ta jetësuar asociacionin.

Lajme të ngjashme