Daniel Serwer i thotë Nacionales se qasja e Francës ndaj aplikimit të Kosovës në KE është ‘marrëzi’
Profesori amerikan Daniel Serwer ka kritikuar qasjen e Francës në raport me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se ndërlidhja e anëtarësimit të Kosovës në KE me procesin e dialogut me Serbinë është kundër-produktive.
Javën e kaluar, dy ambasada të Francës, ajo në Beograd fillimisht dhe ajo në Prishtinë më pas, e cilësuan si të njëanshëm vendimin e Kosovës për aplikim në Këshillin e Evropës. Kjo nxiti reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.
Këtë qasje të Francës e ka kritikuar edhe profesori amerikan Daniel Serwer. Në një deklarim për gazetën Nacionale, Serwer ka vlerësuar se ndërlidhja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në KE me dialogun e Brukselit është marrëzi. “Supozoj se qasja do të jetë kushtëzuese, mirëpo kjo do të ishte marrëzi dhe kundër-produktive”, u shpreh ai.
Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Serwer e vlerësoi si hap shumë pozitiv.
Ai ka përmendur përfitimet që do t’i këtë Kosova me anëtarësimin në organizatën me të vjetër politike në Evropë.
“Dëshira ime është të shoh Kosovën anëtare të KE-së, sepse kjo do të siguronte mbrojtje të rëndësishme të të drejtave të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë minoritetet”, deklaroi Serwer.
Ndërsa në lidhje me kontekstin e agresionit rus në Ukrainë në të cilin po aplikon Kosova, analisti amerikan ka deklaruar se rrethanat aktuale janë të favorshme për anëtarësimin e Kosovës në KE.
“Çdo kontekst është i përshtatshëm për anëtarësimin e Kosovës në një organizatë që kontribuon në mbrojtje të të drejtave të njeriut”, ka shtuar analisti amerikan.
Më tutje, Serwer refuzoi të parashikonte rrjedhën e aplikimit të Kosovës, por nuk ngurroi që t’i bëjë të qarta dëshirat e tij në lidhje me të. “Unë nuk e di çfarë do të ndodhë, por e di çfarë duhet të ndodhë: anëtarësimi i Kosovës, sa më parë që është e mundur.”
Ai ka folur edhe për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në vështrimin e Serwer, procesi i dialogut ekzistues nuk ka ndonjë shenjë ngecjeje.
Ai ka deklaruar se të dy vendet duhet të vazhdojnë rrugën e dialogut, duke shtuar se alternativë tjetër nuk ka. “Dialogu po vazhdon në nivele më të poshtme se presidentët dhe kryeministrat dhe duhet të vazhdojë kështu”, ka vlerësua ai.
Serwer është shprehur se “nuk ka dy të vërteta, ka vetëm dy pikëpamje politike.”
Krejt në fund, i pyetur se kur mandati i përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po ecën drejt përfundimit, a ka ndonjë gjasë që ky dialog të përfundojë si një projekt i suksesshëm, Serwer ngeli vetëm me shpresën se rrethanat në dialog do të zhvillohen në një formë pozitive.
Edhe po qe nevoja që dialogu i drejtuar nga BE të reformatohet disi, kjo nuk paraqet problem sipas tij. “Kjo nuk do të jetë hera e parë që dialogu brenda BE-së përtërihet”, ka përfunduar Serwer.
Javën e kaluar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në KE.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky aplikim është bërë në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës.
Pas aplikimit, Gjermania i ka dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës në këtë rrugëtim. Ndërsa Franca – me anë të dy ambasadave të lartpërmendura – ka shfaqur hezitimin e saj. Sipas ambasadave franceze, prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit.