Dalin pamjet: Serbët në Graqanicë mblidhen pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte në Kosovë
Një numër qytetarësh serbë janë mbledhur në rrugët e Graçanicës, duke i bllokuar ato, pas arrestimi të një serbi të dyshuar për kirme lufte kundër popullsisë civile.
Mediumi lokal, “Radio Kim” ka publikuar pamje nga kjo protestë, ndërsa shihen edhe zyrtarë policorë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, Policia e Kosovës pak më herët ka dalë me komunikatë për arrestimin e qytetarit në fjalë.
Policia ka thënë se ai dyshohet për krime gjatë periudhës 1998-1999.
Policia ka bërë të ditur se për të dyshuarin, ekzistojnë prova se në bashkëkryerje me disa persona të tjera, gjatë luftës në cilësinë e gardianit të burgut, më konkretisht në burgun e Lipjanit, kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psiqike, keqtrajtim e maltretim ndaj të burgosurve shqiptarë.
“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë. Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive Policia e Kosovës, me datën 21.06.2023, në orët e paradites, zonën e Graçanicës, ka ndaluar dhe ka shoqëruar në polici të dyshuarin në fjalë.” – thuhet në komunikatë.
Të dyshuarit, i është sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shifër metalike, dhe dokumente, vendime, telefon personal e të tjera.
“Në konsultim me prokurorin kompetent nga Prokuroria Speciale i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.” – bëhet e ditur në fund të komunikatës së policisë.
