Djegia e lokalit të nënkryetares së Zveçanit: Kurti i kërkon QUINT-it reagim, çka u tha deri tash? - NACIONALE

Djegia e lokalit të nënkryetares së Zveçanit: Kurti i kërkon QUINT-it reagim, çka u tha deri tash?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në orët e hershme të së premtes, lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq është djegur, dhe sipas saj, pas këtij veprimi fshihen Lista Serbe dhe Barrikada Veriore. Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, duke ftuar QUINT-in dhe BE-në të dënojnë këtë akt, sipas tij, kriminal. Çfarë ndodhi?

Lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, u përfshi nga flaka në mëngjesin e së premtes. Tomaniq tha se pas këtij veprimi fshihen Lista Serbe ose Barrikada e Veriut.

Tomaniq për RTV Dukagjinin ka thënë se grupet kriminale në veri të Kosovës nuk e kanë më sundimin që kishin dhe se punësimi i serbëve në institucionet kosovare po iu pengon.

Nuk mund të akuzoj askënd personalisht, por sipas meje nuk është askush pos Listës Serbe ose Brigadës Veriore. Sepse ata janë qartazi kundër punësimit të neve serbëve në institucionet e Kosovës.

Por, një gjë nuk mund ta kuptojë, si mundet që ne të punësohemi në institucionet e Kosovës, e vetë ata bëjnë kërkesë të kthehen nëpër institucionet kosovare. Mund ta potencoj se nuk frikësohem, është evidente që e kanë pas sundimin në këtë pjesë të Kosovës në këto vite dhe tash i ka dalë nga dora kjo situatë dhe këto janë qëllime që ta penojnë në punën tonë.” - ka thënë Tomaniq.

Disa serbëve nuk po u konvenon që serbët të punësohen në institucionet e Kosovës. Sa më përket mua, unë atyre nuk iu frikësohem, tash do të bëj një ndërtesë edhe më të madhe dhe do të sjell këtu njerëz nga jugu që ta dinë këtë.” - ka shtuar ajo.

Tomaniq ka treguar se si ka ndodhur djegia e lokalit të saj.

Kam dalë te lokali për të parë çfarë ka ndodhur. E potencoj që xhami nuk kanë qenë të thyer, ka qenë vetëm një pjesë nga ku kanë hedhur mjetin shpërthyer brenda, zjarri ka qenë në mes të lokalit. Pra nuk ka mundësi të ndodhë për ndonjë arsye tjetër, energjisë elektrike apo diçka tjetër. Pasi mjeti shpërthyer është futur nga jashtë dhe një pjesë e vogël e xhamit ka qenë e thyer.” - ka theksuar nënkryetarja e Zveçanit.

Djegien e lokalit të Tomaniq e ka dënuar ashpër edhe kryeministri Albin Kurti, duke bërë me dije se elementet kriminal të kësaj komune kanë zgjedhur pikërisht 8 Marsin ta frukesojnë zyrtaren komunale.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se edhe ambasadorët e Quint-it dhe shefi i Zyrës së BE-së duhet ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal.

Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar.” - ka shkruar Kurti.

Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë sulme dhe terror.

Krasniqi e ka dënuar këtë akt dhe ka ofruar mbështetje për qytetarët nga komuniteti serb.

Grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë me sulme dhe terror, kësaj radhe cak i tyre ishte dyqani privat i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Si institucione shtetërore e dënojmë këtë akt dhe ju ofrojmë mbështetje qytetarëve nga komuniteti serb në luftën tonë të përbashkët kundër grupeve kriminale.” – ka thënë Krasniqi.

Lajme të ngjashme