Çudit ministrja e Ekonomisë: Pse po e di opozita ku, kush i fitoi tenderat në KEK?
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli edhe një herë ka konfirmuar se bordi i KEK-ut e ka pezulluar nga puna Nagip Krasniqin, kryeshefin e arrestuar. Por ajo ka çuditur me pyetjen se si po merren vesh detajet e kontratave, ndonëse këto bëhen publike në “E-Prokurorimi”.
Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Rizvanolli ka thënë se KEK-u ka shënuar sukses si ndërmarrje publike, e që pritet të vazhdojë edhe më tej.
“Por, ajo duket të jetë interesuar edhe për mënyrën se si opozita po e mer vesh se kush po i fiton tenderët në KEK Disave nga ju dua t’ju pyes pse ju kaq rrallë keni folë për politikat, e aq shpesh keni ditur detaje e keni ngritur çështje në lidhje me tendera në KEK. Kur u shpall, kush e fitoi, kush është pronar. Desha t’ju pyes pse ju i dinit kaq në detaje këto informata, pse po i përcillni me sukses. Unë këtu kam jetuar, ju njoh, ju njohim të gjithë, andaj nuk ka nevojë për përgjigje këtu.” – u shpreh ajo.
Por në kundërpërgjigjen e tij, Tahiri i tha ministres si vijon: “Eshtë shumë lehtë, i ke te e-Prokurorimi”.
Dhe po, në fakt tenderet dhe kontratat e dhëna, si dhe detajet rreth tyre, mund t’i gjeni lehtësisht në faqen“E-prokurorimi”.
Pezullimi i Krasniqit
KEK përmes një komunikate për media ka konfirmuar se është pezulluar nga puna Nagip Krasniqi, vendim ky me efekt të menjëhershëm.
“Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.” – është bërë e ditur në komunikatë.
Krasniqi u arrestua gjatë javës që lamë pas, ndërkohë Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Në njoftimin e Gjykatës, u bë e ditur se vendimi është marrë për shkak ktë “rrezikut të ndikimit në dëshmitarë e prova”.
Kryeshefi i arrestuar i KEK-ut, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëevendosje, dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës, konflikt i interesit dhe ushtrim i ndikimit”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – është bërë e ditur.
.