Shporta bazë po shtrenjtohet me ritëm alarmues: Çka po ndodh me mishin?
Ekziston një inflacion “në letër”, që lexohet në grafikë, dhe një inflacion në jetën reale, që qytetarët e ndjejnë çdo ditë në çmimet e produkteve bazë. Të dhënat mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se mishi ka hyrë në një trajektore me rritje dyshifrore në baza vjetore. Vetëm sipas të dhënave për periudhën qershor–nëntor 2025, rritja vjetore e çmimeve të mishit është luhatur nga 12.1 për qind në 13.7 për qind.
| Muaji (2025) | Rritja Vjetore | Rritja Mujore | Çmimi Mesatar (Viçi 1kg) |
|---|---|---|---|
| Qershor | 12.8% | 1.4% | 11.57 € |
| Korrik | 12.7% | 0.5% | 11.67 € |
| Gusht | 12.4% | 0.3% | 11.65 € |
| Shtator | 12.1% | 0.2% | 11.73 € |
| Tetor | 12.3% | 0.7% | 11.81 € |
| Nëntor | 13.7% ▲ | 1.1% | 12.01 € |
- Tabela tregon ecurinë krahasuese të inflacionit vjetor dhe ndryshimeve mujore të çmimeve të mishit.
Indeksi i mishit kalon nga 162.1 në qershor në 166.7 në nëntor. Kjo nënkupton rreth +2.8 për qind rritje brenda kësaj periudhe gati gjashtëmujore, pa llogaritur efektet e mëhershme.
Rritja drastike e çmimeve u evidentua në nëntor 2025. Të dhënat e ASK-së tregojnë për një rritje mujore prej 1.1%, fakt që ndikoi në arritjen e normës vjetore të inflacionit në 13.7 për qind, niveli më i lartë për këtë periudhë raportuese.
Për herë të parë në seritë kohore të analizuara, çmimi mesatar i mishit të viçit tejkaloi pragun e 12 eurove, duke u tregtuar me 12.01 €/kg. Njëkohësisht, mishi i gjedhit pa eshtra shënoi rritje duke arritur vlerën 11.02 €/kg.
Në të njëjtën periudhë, inflacioni i përgjithshëm (IHÇK, “Gjithsej”) lëviz rreth 4.3 për qind dhe 5.3 për qind. Me fjalë të tjera, mishi po shtrenjtohet afërsisht 2.4–3 herë më shpejt se ritmi mesatar i çmimeve dhe shpesh me një diferencë prej 7–9 pikë përqindjeje.
Në bazë mujore, mishi shënon rritje të përsëritura 0.2 për qind – 1.4 për qind. Rritjet nuk duken dramatike nëse merren të izoluara, por, sipas raporteve, ato janë akumuluar, duke krijuar një ngritje graduale të çmimit të këtij produkti që rrallë ndërpritet.
Raporti më i interesant i këtyre muajve është ai i shtatorit: kur indeksi i përgjithshëm shënon rënie mujore (-0.2 për qind), mishi prapë rritet (+0.2 për qind).
Ajo çfarë ndodh me mishin dhe disa produkte të tjera bazike, shpërfaqin qartazi shenjë të “ngurtësisë” së çmimeve në artikuj bazë, ku rëniet në pjesë të tjera të shportës nuk përkthehen domosdoshmërisht në lehtësim për produktet e konsumit të përditshëm.