Çka tha këshilltarja e Joe Bidenit pas takimit me Vjosa Osmanin e Albin Kurtin
Një delegacion i Shtëpisë së Bardhë, të udhëhequr nga Dr. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit Joe Biden, vizitoi Kosovën këtë javë. Ajo iu shkoi në zyre presidentes, Vjosa Osmani edhe kryeministrit Albin Kurti.
Nga Shtëpia e Bardhë, përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se Sherwood-Randall gjatë vizitës ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës [SHBA] për sovraniteti dhe integritetin territorial të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Këshilltarja e Lartë bëhet e ditur se ka vizituar edhe kampet “Liya” dhe “Bondsteel”.
“Dr. Shereood-Ramdall ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë rajonale, siç dëshmohet edhe përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën për Kosovën (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila vazhdon zbatimin e planit dhjetëvjeçar”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Po ashtu, thuhet se Sherëood-Randall ka shprehur falënderime të thella për Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti për “përkrahjen e vazhdueshme në strehimin e refugjatëve afganë në Kampin “Liya”, për partneritetin kundër terrorizmit si dhe për aktet e solidaritetit me popullin ukrainas”.
Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani, kishte kërkuar nga delegacioni amerikanë që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s
Sipas njoftimit “presidentja theksoi përkushtimin e qartë të Kosovës për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s si hap i parë në integrimin e plotë në Aleancën Veri-Atlantike”
“Jemi krenarë për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është transformuar nga një vend importues të paqes në një vend eksportues të paqes me mbështetjen tuaj dhe jemi të bindur se mund të ndërtojmë mbi këto arritje së bashku. Ashtu siç përmendi Presidenti Biden, gjatë vitit të kaluar Kosova ka demonstruar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare. Sot, Kosova është avokuese e fortë për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë, dhe vazhdojmë të jemi shteti më pro-amerikan dhe pro-evropian në botë. Është vendosmëria e popullit tonë për të forcuar tutje marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike” – ka thënë Osmani.
Ndërkohë, kryeministri, Albin Kurti pas takimit kishte treguar se për cka kishe biseduar me delegacionin amerikanë.
“Kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U bisedua për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës.” - thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Kryeministri tha se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina. Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – thuhet ndër të tjera.
Nuk dihet nëse është diskutuar edhe për zgjedhjet serbe dhe lejimi i tyre në Kosovë.
Ndryshe, janë shtuar zëra që Kosova duhet të pranohet në mënyrë më të shpejt në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, pas situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë dhe tensionimeve të mundshme në Ballkanin Perëndimor.