Çka po di më shumë Ramadani? – “Nuk hapet Ura e Ibrit kësaj here”
Ura e Ibrit nuk hapet kësaj here.
Këtë mesazh e lëshoi këtë të dielë ish-Kryeinspektori i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, pas një serie shkrimesh kohëve të fundit ku i binte borisë së paralajmërimeve për ose ‘konfrontim’ të policisë kosovare me KFOR-in, ose që këta të fundit të invokonin kompetencat e tyre përkitazi me Nenin 153 të Kushtetutës së Kosovës, që do të mund të përkthehej edhe me shtimin e Urës së Ibris në listën PDSS (Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special).
Ramadani këtë pohim/pretendim e dha të ketë ardhur si rrjedhojë e “konfrontimit deklarativ (të pushtetit) me KFOR-in” por edhe si “fatkeqësi” të sjelljeve të akterëve të pushtetit “që më shumë ndikuan që Ura (e Ibrit) të mos hapet”.
“Përkatësisht, më shumë dëmtuan Kosovën. As hapje Ure, as përafrim me NATO. Përkundrazi. Acarim të raporteve me NATO-n pa arritur as të tentohet hapja e Urës. Në vend se si njerëz me përgjegjësi shteti të udhëtonin për në Selinë e NATO-s e në kryeqendrat perëndimore, këta “udhëtuan” nën Urë për të mbetur simbolikisht ‘Ministra nën Urë’”, shkroi Ramadani.
Në atë që pushteti e ka dhënë pa-një-pa-dy dhe pavarësisht gjithçkaje se Ura e Ibrit do të hapet për lëvizje të automjeteve, Ramadani s’e sheh të mundshme: “Nuk ka askush guxim që të hap Urën me zor”.
“Hiq e më hiq këta eksperimentalët politik që ‘inspektuan’ Urën. Dështimi për të arritur rezultatin e kërkuar me NATO-n është më i mirë sesa ndonjë veprim pa sens. Ju ‘tupanxhinjtë’ qetësohuni. Merrni frymë. Ndaleni konfrontimin deklarativ me NATO-n/KFOR-in. Kthejuni punës”, tha ai.
Disponimit të hapjes së urës pavarësisht gjithçkaje dhe për fakt të kryer të trumbetuar nga pushteti, i ka reaguar edhe ditë më parë Ramadani, duke zbërthyer fakte para ndjenjave.
E nisi me vetëevidentet – pra ajo që do të duhej të ishte për dy-plus-dy bëjnë katër – se “sa më shumë KFOR dhe EULEX aq më pak sovranitet”; teksa paraqiste atë që nuk përjashtohet mendësh se në rast konfrontimi KFOR-i mund ta shtojë atë hapësirë/pronë në dezignimet e saj speciale.
“Në këto raste, Rregullat e Angazhimit (Rules of Engagement) ushtarak janë të prera, të qarta, nuk kompromentohen dhe përfshijnë hapjen e zjarrit, përkatësisht përdorimin e të gjitha mjeteve ushtarake për të mbrojtur PDSS-in. Kështu, sa për ilustrim është Manastiri i Deçanit.”, shprehej ai.
Çfarë ka thënë KFOR-i?
NATO-ja, që udhëheq misionin paqembajtës në vend, veçse e ka mbushur mish edhe më tej skeleturën e qëndrimeve të tyre tash duke folur për “prani fikse” në Urën e Ibrit; i.e, prani të stacionuar.
Asnjë indikacion çstacionimi deri më tash s’ka ardhur nga KFOR-i; për më tepër, pyetur edhe konkretisht nga REL se çka nëse kërkohet nga ta të lëshojnë rrugë, janë shprehur se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenar në të ardhmen”.
Kësisoji duke e zhvendosur largimin e tyre hipotetik “në të ardhmen”, siç kuptohet semantikisht, KFOR s’la të kuptojë çstacionim e tyre në të tashmen siç e jep qeveria kosovare për hapjen e Urës së Ibrit për automjete.