Cilat ishin ngjarjet që e veçuan ditën e djeshme?
Dje. E mërkurë. 26 tetor 2022. Ishte ditë e zakonshme. Nuk pati diçka që do të merrte dhenë. Që u shqua.
Megjithatë, debati mbi deklaratat e Sevdai Radogoshit dhe qëndrimi i Kurtit rreth çështjes së targave, pra refuzimin për ta shtyrë vendimin, u komentuan më së shumti.
Në debatin për “Teatrin e Qumilit”, reagoi edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli.
Ish-presidenti i Kosovës ka thënë se nuk duhet të kritikohet askush pse është nga fshati, ani pse pranoi se vetë ai përqeshej dikur.
“Kur isha student, më trajtonin ndryshe, sepse vija nga fshati, por sot jam më shumë se krenar për këtë”, shkroi ai.
Për të njëjtën temë reagoi edhe aktivisti i lobit shqiptaro-amerikan dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Uk Lushi.
Ky i fundit, duke e shfrytëzuar rrjetin social “Facebook”, ironizoi duke thënë se gjakovarët nuk bëjnë hajgare dhe se komunën e tyre mund ta shpallin "Republikë".
“Nëse vazhdon presioni kundër gjakovarëve, mos u habitni kur ta shihni Republikën e Gjakovës dhe kombin gjakovar. Çka është edhe një komb më shumë, kur kemi krijuar me dhjetëra kombe, pa çka që nuk kemi finalizuar kombin shqiptar ende!? Ndaleni trysninë ose e ndatë Kosovën. Gjakovarët, kur t’ja nisin, nuk bëjnë hajgare”, ka shkruar Lushi.
Targa
Politika, si zakonisht, u rezervua për në mbrëmje.
Fillimisht, analisti Agon Maliqi ka bërë një koment të shkurtër sarkastik në lidhje me qëndrimin e pushtetit për mosshtyrjen e afatit për targat.
Ai ka nënkuptuar se këto qëndrime të pushtetit janë joserioze duke i ilustruar me fjalitë në vijim:
“Nuk dojna me e shty afatin e targave qysh po lypni se jena vend sovran, ama presim prej juve me na ndihmu për njohje dhe me hy në NATO”, – shkroi Maliqi.
Analisti e përdori një tallje popullore për ta treguar atë që, sipas tij, e shpreh joseriozitetin e këtij qëndrimi:
“Ok. A po doni edhe në deti?”
Dardan Islami gjithashtu i komentoi këto zhvillime, duke deklaruar se Kurti asnjëherë nuk thotë "po" në herën e parë.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Islami ka thënë se emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë - Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka kuptuar tash e sa kohë se kryeministri duhet marrë me të mirë.
Veç kësaj, Islami shtoi se dihet që Kurti herën e parë dhe të dytë e refuzon ofertën, por në të tretën e pranon.
“Escobari nuk është Grenell, ai e ka kuptuar moti se Albinin duhet me marrë me t’mirë!", - shkroi ai.
"Escobar e di se Albini me të parën dhe të dytën refuzon çdo gjë, por me të tretën e pranon, sepse qashtu e ka tripin”, - tha Islami.
Në anën tjetër, jo për targa konkretisht, por për planin franko-gjerman, që ndërlidhet në një mënyrë apo tjetrën me targat, shkroi edhe profesori Smajljaj.
Smajljaj tha nëse dikush e ka parë planin franko-gjermano-holandez, le t’ua tregojë qytetarëve përmes mënyrave diplomatike.
“Nëse dikush e ka parë planin italiano-gjermano-francezo-holandez, do të ishte mirë t'ua tregonte edhe qytetarëve, sipas parimeve demokratike”, - ka shkruar ai.