"Çështja e sigurisë evropiane": Qysh e arsyetuan tre liderët evropianë Propozimin Evropian? - NACIONALE

"Çështja e sigurisë evropiane": Qysh e arsyetuan tre liderët evropianë Propozimin Evropian?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltarët e liderëve shtetërorë në Gjermani, Francë e Itali e kanë publikuar një opinion për të rritur presionin që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Si e kanë arsyetuar ata këtë Propozim dhe këtë marrëveshje?

Ata thotë se kanë marrë detyrën që t’i ofrojnë mbështetjen Borrellit e Lajçakut për ta çuar normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës “një hap të madh përpara”.

Megjithatë, kur i shtrojnë pyetjen vetes – ose edhe njëri-tjetrit – se pse ishte kjo e rëndësishme për vendet që përfaqësonin, e dhanë fillimisht një përgjigje... të varfër:

“Arsyeja është se e ardhmja, e Serbisë dhe e Kosovës, sikundër edhe e mbarë Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Evropian dhe ne duam të jemi përkrahësit tuaj më të mëdhenj në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në këtë bllok,”

Pashë zotin?

Në fakt, një gjë e tillë dihej tash e shumë kohë. Fjalitë e mësipërme nuk thonë kurrgjë për urgjencën me të cilën këto tri shtete, dhe e gjithë BE-ja, e ka marrë procesin e dialogut.

Megjithatë, më pas ata përmendin edhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Pengesa më e dukshme është marrëdhënia e pazgjidhur në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila njëkohësisht është edhe çështje e sigurisë evropiane. Ajo çfarë pamë në fund të vitit të kaluar na ka brengosur tej mase.” – shprehen tutje tre zotërinjtë.

Ata përmendin edhe mundësinë e nisjes së një “konflikti të ri”.

“... investitorët nga shtetet tona i lexojnë lajmet dhe pyesin veten, nëse ia vlen të investojnë në këtë rajon. Çfarë t’u themi atyre, nëse kanoset rreziku për një konflikt të ri?” - pyetën ata.

Çka thanë për marrëveshjen?

Ata i japin propozimit që kanë bërë cilësorin “i përshtatshëm”. Kaq. Në pjesën vijuese ata flasin për zbatimin, dhe thonë më pas se Kosova duhet të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në anën tjetër, Serbia “duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një fqinje që ka një perspektivë evropiane dhe vendin e vet në bashkësinë ndërkombëtare.”

“Koha nuk është në anën tonë. E edhe më shumë e rëndësishme, ajo nuk është në anën e Kosovës dhe Serbisë. Ne duhet të veprojmë me arsye të shëndoshë për përgjegjësi dhe urgjencë.” – thanë tutje ata.

A mjaftojnë këta rreshta që të binden popujt në Kosovë dhe Serbi për të pranuar një marrëveshje të tillë? Përgjigjen mund ta ofroni edhe vetë.

Lajme të ngjashme